04 Maj 2024

Arben Dumani nga refugjat lufte në bos kokaine

Londër, 6 mars - Tabloidi britanik “Daily Mail”, i ka kushtuar një reportazh kosovarit Arben Dumani, i cili u kap nga policia skoceze në Glasgou vitin e shkuar në flagrancë, teksa përpiqej të mbyllte një marrëveshje kokaine që kapte shifrat e 1.2 milionë paundëve.

Dumani, i cili është 23 vjeç, u dënua nga gjykata britanike me 12 vjet burg për trafikun e drogës shkruan gazeta Shekulli.

Ai erdhi në Britani si një nxënës 10 vjeçar, duke i shpëtuar luftës në Kosovë, nis reportazhi i shkruar nga gazetari Grant McCabe. Ai erdhi në Britani për një të ardhme premtuese.

Por dy ditë më parë, 13 vjet pas emigrimit, Arben Dumani, u demaskua si një nga bosët e një bande famëkeqe droge, e cila u përpoq të fuste në vendin që e strehoi një sasi kokaine që kapte shifrat e 1.2 mln paundëve.

Gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij në Glasgou vitin e shkuar, policia sekuestroi më shumë se 2 kilogram drogë të klasit A, si dhe substanca të tjera narkotikësh të ndaluara me ligj në vend.

Fotot duke thithur kokainë, që banda publikoi në rrjetet sociale, u bë edhe shkas për fundosjen e këtij grupi kriminal. Katërshja e grupit, u dënua dje me 30 vjet burg e gjashtë muaj në total nga Gjykata e Lartë e Glasgout.

“Grupi i organizuar kriminal i drejtuar nga Arben Dumani, ka qenë i përfshirë në një sërë aktivitetesh kriminale që lidhen me trafikun e drogës, kryesisht kokainë, të cilat kapin shifrat e 1.2 milionë paundëve. Kjo është një shifër mjaft e konsiderueshme dhe mund t’i ketë shkaktuar mjaft dëme komunitetit skocez. Unë e mirëpres vendimin e gjykatës, e cila vendosi që pjesëtarët e kësaj bande të vendosen pas hekurave për krimet e bëra.” tha në një intervistë Shefi i hetimeve, Athol Aitken.

Dumani ishte vetëm 10 vjeç, kur ai dhe familjarët e tij u arratisën nga Kosova nën kërcënimin e krimeve dhe genocidit serb dhe erdhën në Skoci për një jetë më të mirë. Në vitin 1999, ai dhe gjashtë fëmijë të tjerë refugjatë, nisën ditën e parë të shkollës së tyre të re në perëndim të Glasgout.

I riu Dumani, teksa po fliste për përshtypjet e tij të para për atdheun e ri, tha në atë kohë: “Është mjaft mirë këtu, ne kemi luajtur futboll dhe kemi njohur mjaft miq të rinj.”

“Unë pikturoj këto shtëpi të bukura dhe po mësoj dita-ditës anglishten. Ka qenë një eksperiencë mjaft e mirë dhe jam mjaft i lumtur.”

Por ditën e djeshme, 23-vjeçari, u dënua me 12 vjet burg, pasi pranoi vetë në gjykatë për trafikun e tij të kokainës si dhe përfshirjen në një sërë aktivitetesh të ngjashme e të paligjshme.

Dora e tij e djathtë, shqiptari Albert Memia, 25 vjeç, u dënua me 10 vjet burg, pasi u shpall fajtor për të njëjtat akuza. Dërguesi i ngarkesave, Fabion Ponari, 23 vjeç dhe Gjeorgj Phjetri, 28 vjeç, u dënuan me 5 dhe 3 vjet e gjysmë burg respektivisht.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)