05 Maj 2024

Ambasadori Dell dekorohet me medalje për “Shërbim Meritor”

Prishtinë, 27 korrik - Në Ministrinë e FSK-sëu prit sot me nderime ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kosovë, z. Kristofer Dell. Për nder të ambasadorit Dell, ishin rreshtuar kuadratet e FSK-së.

Me ekzekutimin e himnit të SHBA-së dhe të Kosovës, filloi zyrtarisht ceremonia lamtumirëse e organizuar për ambasadorin amerikan Kristofer Dell dhe atasheun ushtarak të  Amerikës, në Kosovë, kolonel Arthur Beauchamp. Ministri Agim Çeku ka dekoruar ambasadorin Kristofer Dell, me medalje, për “Shërbim Meritor” ndërsa atasheun ushtarak kolonelin Arthur Beauchamp  me medalje për “ Shërbim të shquar” 

Ministri i FSK-së, Agim Çeku, ka vlerësuar lartë SHBA-të.

"Jemi këtu për ta falënderuar dhe për t’i shprehur respektin tonë, z. Christopher Dell, ambasador  i SHBA-ve, në Republikën e Kosovës, dhe Kolonelin Arthur Beauchamp, atasheun ushtarak të SHBA-ve. Këta dy burra që po i nderojmë sot, nuk na kanë nderue vetëm neve, por në radhë të parë e kanë nderu vendin e tyre me punën e tyre, të përkushtuar dhe plot entuziazëm të Kosovës dhe popullit tonë. Neve na vjen keq që misioni i ambasadorit Dell dhe Kolonel Beauchamp në Kosovë po përfundon, por kontributi i tyre do të mbetet gjithmonë me ne", ka pohuar ai.

Sipas tij ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Puna e juaj e palodhur i dha edhe një shtytje të madhe raporteve të veçanta në mes dy shteteve dhe popujve tanë.

"Gjatë misionit tuaj në Kosovë ju keni qenë gjithmonë të fokusuar në forcimin e partneritetit bilateral në mes vendeve tona. Me përkrahjen tuaj, Programi i Partneritetit Shtetëror me Gardën e Kombëtare të Ajovës dhe FSK-së është realizuar dhe tash po implementohet me sukses. Kemi realizuar një qëllim dhe një ëndërr të kamotshme.Përkrahja e juaj për të filluar rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë ka qenë vendimtare.

Ju na mbështetët që për herë të parë institucionet e Kosovës të ndërtojnë institucione të mbrojtjes dhe sigurisë  çfarë i nevojiten Kosovës. Ne kemi pranuar vitin e kaluar një donacion prej 2.5 milion dollarësh për projektin e sistemit për menaxhimin e informatave. Ky projekt është bërë në partneritet të ngushte me NATO-në. Ambasadori Dell, po ashtu ishte shtytësi kryesor, që për herë të parë të nënshkruhet Marrëveshja e Statusit të Forcave në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara", ka theksuar ai.

Ai ka përmendur edhe takimin që ka pasur me zëvendës Sekretarin Gjeneral të NATO-s në Qershor, kur Kosova është lavdëruar për progresin e bërë nga FSK-ja.
"Ky progres është arritur me përkrahjen e parezervë të juajën dhe të Shteteve të Bashkuara në zhvillimin e FSK-së, në një forcë kompetente, të aftë dhe profesionale. Amerika gjithmonë do të jetë vend të cilin populli i Kosovës, gjithmonë do ta ketë në zemër. Ne gjithmonë do të kujtojmë fjalimin dhe mesazhet e juaja frymëzuese në ceremoninë e nderimit të Komandës në FSK-ë. Ambasador Ju faleminderit për bashkëpunimin dhe miqësinë tuaj të jashtëzakonshme, ka theksuar ministri Agim Çeku.

Ministri Çeku me një fjalë përshëndeti edhe kolonelin Arrthur Beauchamp

Koloneli Beauchamp ka dhënë kontribut të veçantë në ndihmë të FSK-së, unë dua ta falënderoj për të gjitha që ka bërë për zhvillimin e FSK-së, potencoi ministri Çeku. “Progresi dhe arritjet e FSK-së janë po ashtu rezultat i mundit dhe punës tënde të përkushtuar.

Koloneli Beauchamp ka qenë forcë shtytëse për dërgimin e Atasheut të Parë nga Republika e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lidershipi i tij ishte i rëndësisë së veçantë në ndihmë të FSK-së dhe Qeverisë së Kosovës për të siguruar përkrahje nga Departamenti i Mbrojtjes për të asistuar FSK-në dhe Qeverinë në Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë. Ky rishikim është një proces në zhvillim dhe një analizë e thellë e gjendjes së tashme si dhe nevojave në të ardhmen të Qeverisë së Kosovës dhe do të ndihmoj në formimin e misionit të ardhshëm të FSK-së.

Vizioni Strategjik i Kolonelit Beauchamp ka qenë thelbësor në ndihmë të FSK-së për të përmirësuar kapacitetet e saja në dy fusha të veprimit: Evitimin e Rreziqeve nga Mjetet e Pashpërthyer si dhe për Kërkim Shpëtim. Duke punuar nga afër me Zyrën për Asistim të Sigurisë të Shteteve të Bashkuara, Koloneli Beauchamp ka zhvilluar një plan strategjik kur ka ndihmuar në marrjen e një fondi prej 5 milion dollarësh për të trajnuar dhe pajisur njësitet e FSK-së, për Deminim si dhe për Kërkim Shpëtim. Përpjekjet e tij ndërtuan rrugën për FSK-në, që të bëhet një Qendër e Ekselencës për operacionet e kërkim-shpëtimit si dhe për evitimin e rreziqeve nga mjetet e pashpërthyera”.

Vizioni strategjik i Kolonelit Beauchamp dhe këmbëngulësia e tij, ishte vendimtare për sigurimin e fondeve shtesë për të trajnuar personelin e FSK-së, për operacionet e reagimit ndaj rreziqeve, përkrahje logjistike, xhenio, menaxhim dhe lidership.  Gjatë kohës së tij si Atashe i Mbrojtjes, mbi 200 pjesëtarë të FSK-në kanë kryer trajnime. Ky është numri më i lartë i pjesëtarëve të FSK-së që kanë kryer trajnim, që ka ndihmuar në arritjen e nivelit të lartë profesional nga ana e FSK-së. 

Një nga trashëgimit e tij do të jetë përkrahja për zhvillimin profesional të nën-oficerëve. Nën lidershipin e tij, dhe në koordinim të afërt me zyrën për asistim në siguri, Koloneli Beauchamp ndihmoi për të ndërtuar Korpusin e nën-oficerëve profesional të FSK-së. Gjatë kohës së tij si Atashe, mbi 100 nën-oficerë të FSK-së janë trajnuar dhe tash FSK-ja e ka programin për trajnim të nën-oficerëve. Lidershipi i Kolonelit Beauchamp ka qenë i rëndësishëm në pranimin e rekomandimit pozitiv mbi Kapacitetet e Plota Operacionale që është dhënë nga Komandanti i KFOR-it.

Në fund ministri Çeku, ju drejtua, me këto fjalë ambasadorit Dell dhe kolonelit Beanchamp: “I dashuri Christopher, i dashuri Art, Falënderimet më të ngrohta për ju dhe punën tuaj si dhe për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm. Gjithmonë ka qenë mirë kur e dinim se mund të llogarisim tek ju për të shkuar edhe një hap më tutje. Ju do të na mungoni, por entuziazmi i juaj si dhe përkushtimi i juaj do të kujtohet gjithmonë në Kosovë. Duhet ta dini se do të jeni gjithmonë të mirëseardhur në Kosovë dhe ju presim që të ktheheni përseri. Kosova është dhe do të jetë shtëpia e juaj.

Ndërsa, në fjalën e tij, ambasadori i SHBA-ve, Kristofer Dell, përshëndeti ministrin Çeku, gjeneralët, oficerët, aleatët e NATO-s:  dëshiroj të shpreh respektin tim, për ministrin Çeku që më tha këtë medalje për shërbim.

Me ministrin Çeku fillimisht kemi punuar kur është përgatitur të marr udhëheqjen e TMK-së, si komandant i parë i asaj trupe. Unë kamë qenë shumë i gëzuar kur ministri Çeku e ka marrë detyrën e kësaj ministrie, në shkurt të vitit 2011. E dija se FSK-ja ishte në duar të sigurta me ardhjen e tij. E dija se Çeku ishte njeriu i duhur në kohën e duhur për ta udhëhequr edhe një herë transformimin e FSK-së, sepse ai ka qenë në, transformimin, në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat e Mbrojtjes të Kosovës, dhe pastaj të këtyre trupave në FSK.

Dhe pikërisht është njeriu i duhur për ta quar përpara FSK-në, deri sa të bëhet përmbyllja e Pavarësisë së mbikëqyrur.  Derisa i shoh këtu të gjitha të arriturat e FSK-së, siç ishte aksioni i shpëtimit në Dragash, apo ndihma e juaj në Shqipëri, për tu përballur me vërshimet atje si dhe aksionet e tjera në zjarrëfikjes dhe të arriturat e panumërta, të tjera.

E di se jeni duke u zhvilluar në një forcë të tillë që i nevojitet Kosovës, Ju po bëheni, pikërisht  një forcë e tillë, shumë etnike, profesionale e sigurisë e cila është simbol i Kosovës dhe asaj çka aspiron të bëhet. Shpresoj se në të ardhmen do t’ju shohim krah për krahë me popujt e tjerë të Shteteve të Bashkuara dhe të shteteve aleate të NATO-s, shteteve në rajon dhe më gjerë, tha pos tjerash ambasadori Dell. Në fund edhe ambasadori Dell dhe koloneli Beauchamp  kanë falënderuar Ministrin Çeku dhe kanë uruar FSK-në për arritje të mëtejme.

Në ceremoninë e pritjes së ambasadorit Dell dhe atasheut ushtarak, kolonel Arthur Beauchamp,  morën pjesë edhe zv. Ministri Shemsi Veseli, Bejtush Gashi dhe Slavisha Filipoviq, zëvendës komandanti i KFT gjeneral Gzim Hazrrolli, gjeneral Imri Ilazi, gjeneral Enver Cikaqi, Sekretari i Përgjithshëm Shkëlzen Syla, si dhe oficerët e lartë të FSK-së, drejtor të departamenteve dhe drejtorive të MFSK-së, përfaqësuesit e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të FSK-së, përfaqësuesit e KFOR-it, këshilltarët e Ekipit Këshillues të NATO-s në MFSK,  si dhe atashetë ushtarak në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)