VV: Imet Rrahmani po bën borde partiake

Prishtinë, 12 korrik - Komiteti për Shëndetësi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! organizoi konferencë për medie në lidhje me keqpërdorimet e ministrit të shëndetësisë z. Imet Rrahmani në shkarkimin e bordeve të kësaj ministrie dhe uzurpimin e tyre me militantë partiakë dhe familjarë.
Anëtari i Komitetit të VETËVENDOSJE!-s për shëndetësi, z. Jusuf Ulaj, tha se duke e ditur rëndësinë e këtyre bordebve, ministri është dashur që të kërkojë së paku një takim me anëtarët e këtyre bordeve, gjë të cilën ai nuk e ka bërë asnjëherë prej marrjes së mandatit si ministër.
Ministri Rrahmani, theksoi më tutje Dr. Ulaj, në vend që të mirret me probleme shumë serioze që i ka sistemi ynë i shëndetësisë, siç është furnizimi me material harxhues dhe barna esenciale, apo funksionalizimi i disa shërbimeve nëpër spitale regjionale (p.sh. e kemi spitalin e Mitrovicës pa asnjë kirurg, apo spitalin e Vushtrrisë ku nuk ka specialistë të shumë fushave), apo të mirret me implementimin dhe funksionalizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor i cili është bazë për ndërmarrjen e hapit tjetër që është sistemi i sigurimeve shëndetësore... pra në vend që të mirret me këto, ky ministër shkel ligjin dhe merret me formimin e bordeve të reja pa shkarkimin e atyre paraprake.
Megjithëse arsyetimi zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë për ndërrimin e kundërligjshëm të bordeve është dinamizimi i punëve në këto borde, e vërteta është se arsyet kryesore për ndërrimet e tilla janë krijimi i favoreve për njerëz të preferuar të kabinetit të ministrit dhe shtrirja e ndikimit të ministrit në këto borde në mënyrë që tia mundësojë vetes keqpërdorimin e tyre.
Në konferencë foli edhe anëtari tjetër i Komitetit për Shëndetësi në VETËVENDOSJE!, z. Mirsad Shkreta, i cili ndër të tjera foli edhe se si kompetencat e bordeve profesionale, sipas ligjit, tashmë do të duhej të ishin bartur tek odat e profesionistëve shëndetësorë.
Në vend që ministri, siç edhe detyrohet nga neni 59 i ligjit për odat e profesionistëve shëndetësorë, të jetë në procedura tranzitore të bartjes së kompetencave nga bordet tek odat profesionale shëndetësore, dhe në këtë mënyrë çështjet që i trajtojnë bordet do të trajtoheshin nga personat kompetentë dhe profesionistë, ai po shkarkon bordet e kaluara që sipas ligjit kanë mandat edhe 1 vjet, për të emëruar militantë partiakë dhe të afërm familjarë në këto borde.