30 Prill 2024

Shëndetësia - sektor me ndikim në votë

Prishtinë, 5 qershor - Shëndetësia vazhdon të mbetet një temë kyçe në vendimin e qytetarëve se cilën parti do ta votojnë, tregon një sondazh i organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Kolegji Universum, përkrahur nga Friedrich Ebert Stiftung (FES). 83% të të anketuarve kanë deklaruar se programi i shëndetësisë mbetet një faktor vendimtar në zgjedhjen e partisë. 

73% të të anketuarve kanë thënë ata do të votonin një parti e cila ofron një shërbim më të përparuar shëndetësor pa pagesë. Megjithatë, gati 16% të të anketuarve kanë thënë se nuk pajtohen me një program të tillë, duke treguar se një pjesë e mirë e qytetarëve janë të vetëdijshëm rreth pamundësisë për të realizuar një program të tillë.

Një pjesë e mirë e qytetarëve mbeten të gatshëm të votojnë për partinë e cila propozon pagesë minimale për shërbime shëndetësore më të avansuara. 62% e të anketuarve kanë thënë se do të përkrahnin një parti e cila do të ofronte një program me një shërbim të tillë.

Përqindja e të anketuarve të cilët do të ishin të gatshëm të votonin një parti me një program shëndetësor me tarifa standarde për shërbime të caktuara është më e ulët. Vetëm 40% e të anketuarve do të votonin një parti me një program të tillë, që është një ndryshim drastik nga statistikat e përmendura më lartë.

Thuajse të gjithë respodentët e anketës, 92% prej tyre, janë pajtuar që Kosova të ketë sigurim shëndetësor publik i cili hyn në fuqi nga janari 2015. Ky program i sigurimit shëndetësor publik parasheh që punëdhënësi dhe punëmarrësi, ndaras, të paguajnë 3.5% të pagës mujore ndaj një fondi për sigurime shëndetësore shtetërore.

Anketa, e organizuar në tërë Kosovën, është  mbajtur nga stafi i trajnuar i Kolegjit Universum, ndërsa të dhënat janë analizuar nga INDEP. FES ka mbështetur financiarisht realizimin e kësaj ankete, e cila ka për qëllim analizën e motivimit të votuesve në Kosovë për politika publike, pa paragjykuar ndaj preferencave të tyre partiake.

Gjithsej, 957 persona i janë përgjigjur pyetësorit. Numri i të anketuarve është ndarë proporcionalisht sipas popullatës të secilës komunë në Kosovë ndërsa mostra, e përzgjedhur me respondentë të rastit, është bazuar në të dhëna të sakta demografike.

Këto janë disa nga gjetjet e anketës, të cilat INDEP dhe Universum po i botojnë sipas sektorit të politikës publike. Pas sektorit të shëndetësisë, do të botojmë të dhënat sa i përket politikave fiskale.

Instituti INDEP është institut kërkimor dhe qendër e avokimit më ndikim të lartë në politikat publike. Kolegji Universum është institucion i akredituar i arsimit të lartë në Kosovë, lider në hulumtimet e opinionit publik. Friedrich Ebert Stiftung është fondacion gjerman që promovon socialdemokracinë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)