03 Maj 2024

Rritet numri i duhanpirësve që kërkojnë ndihmë për të lënë duhanin

Canbarra, 29 janar - Një vit pasi qeveria Australiane vendosi që në paketat e cigareve emrat e firmave prodhuese të zëvendësohen me fotografitë tronditëse të dëmeve që shkakton duhani, një studim i ri tregon për një rritje të lartë të numrit të duhanpirësve që kërkojnë ndihmë për të lënë duhanin.

Instituti i Kancerit “New South Wales” thotë se kjo tregon se nisma e qeverisë është duke funksionuar.

Kur paketat e reja të cigareve u bënë të njohura në Australi një vit më parë, kishte shumë spekulime nëse fotot dhe paralajmërimet do të ishin të efektshme.

Emrat e kompanive në paketat e cigareve u ndaluan.

Tani, hulumtues të shëndetit publik pohojnë se ndalimi ka patur efektin e dëshiruar dhe se mesazhi po përcillet më në fund se duhani dëmton rëndë shëndetin.

Hulumtuesit në Institutin e Kancerit  “New South Wales” thonë se ka patur një rritje prej 78 për qind në numrin e duhanpirësve që synojnë ta lënë duhanin dhe se paketimi i ndryshëm ka patur një ndikim më të madh se sa mesazhet paralajmëruese.

“Njerëzit kanë vënë re paketimin e thjeshtë dhe duhanpirësit me të vërtetë që janë duke marrë masa, duke kërkuar mbështetje, duke marrë në telefon linjën e posaçme për të lënë duhanin”.

Por ka edhe rezistencë ndaj ndalimit së pirjes së duhanit.

“Nuk e kam ndërmend të heq dorë pavarësisht paketimit ose reklamave. Ato nuk do të bëjnë ndonjë ndryshim për mua personalisht.”

Por edhe kjo grua e pranon se ndalesa është një gjë e mirë nëse funksionon.
 
Ajo thotë: “Unë shpresoj me të vërtetë që të funksionojë, sepse mendoj se është një zakon i keq, një zakon vrasës.”

Studimi krahasoi paketimin e thjeshtë me reagimin e publikut ndaj imazheve paralajmëruese për dëmet ndaj shëndetit si reklamat.

Zonja Lafontaine thotë se paketimi i thjeshtë ka rezultuar në një rritje më të qëndrueshme të numrit të njerëzve që dëshirojnë ta lënë duhanin.

Ajo tani shpreson për studime të mëtejshme, duke u përqëndruar në efektet e drejtpërdrejta tek australianët të rinj.

“Ajo që ne do të donim të mësonim është se si ndryshimi ka penguar nisjen e pirjes së duhanit mes të rinjve, sepse kjo është një nga arsyet kryesore pse paketimi i thjeshtë u paraqit fillimisht. Synimio ishte për të mbrojtur brezat e rinj nga nisja e një vesi të tillë.”

Por ka gjithmonë përjashtime. “Nganjëherë thua ta lësh duhanin, por pastaj vazhdon me vesin.” “Nuk më inkurajon të mos pi, por patjetër që preferoj paketat e mëparshme.”

Australia është vendi i parë që ka nxjerrë ligj për ndryshimin e paketimit dhe vendet e tjera janë duke ndjekur rezultatet me interes.

Zonja Lafontaine shpreson se qeveritë e tjera do të jenë të motivuara për të ndjekur shembullin e Australisë. Mbretëria e Bashkuar është duke shqyrtuar të njejtën mundësi. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)