22 Mars 2023

Rreth 19,000 euro u mblodhën në fushatën #dashniekujdes

Prishtinë, 14 dhjetor - Duke parë nevojën e jashtëzakonshme për të mbështetur institucionet shëndetësore në ofrimin e shërbimeve dhe trajtimit të duhur shëndetësor në këtë periudhë të brishtë me pandeminë Covid-19, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë organizoi edicionin e dytë të fushatës #dashniekujdes.

Fushata #dashniekujdes kishte për qëllim ngritjen e fondeve përmes së cilave do të blihen pajisje dhe medikamente të nevojshme për të përmirësuar shëndetin e nënave dhe fëmijëve në Republikën e Kosovës.

Kjo fushatë bamirëse e cila zgjati dy javë, u përmbyll me një ngjarje televizive ku u diskutua për misionin dhe të arriturat e AMC-së si dhe ndikimin e programeve tona shëndetësore në institucione shëndetësore dhe në shoqërinë tonë.

Kjo fushatë u realizua falë mbështetjes nga sektori privat të cilët besojnë në punën dhe angazhimin tonë në këtë kauzë. Gjithsej 18,889,50 euro u mblodhën përmes sponzorizimeve nga kompanitë private, donacioneve online dhe donacioneve përgjatë emisionit në Klan Kosova.

Në këtë ngjarje morrën pjesë personalitete të njohura si Albina Kelmendi, Shengyl Ismaili, Florent Abrashi, Eshref Durmishi, Fiona Gllavica dhe Festim Fanaj. Poashtu, në mënyrë virtuale na mbështetën edhe Gresa Pallaska, Arbela Statovci, Yll Limani dhe Dhurata Dora për të cilët shprehim mirënjohje dhe i falënderojmë përzemërsisht për mbështetjen e fushatës #dashniekujdes.

Fushata #dashniekujdes nuk do të ishte e mundur pa sponzorin medial Klan Kosova dhe Alaudin Hamiti, i cili moderoi gjatë ngjarjes përmbyllëse.

Falënderim i veçantë për sponsorët GOLD: Banka për Biznes, DentFix, Origin3 Agency, NLB Banka, dhe sponsorët SILVER: EraMed, Kep Trust, Crimson Capital, PI Communications, Illyria Life, Ipko Foundation, Topia, Entermedia, Recura Financials, Meridian Express dhe Publico.

Nga stafi i AMC-së shprehim mirënjohje dhe falënderim të veçantë për ekipin kreativ të Origin3 Agency dhe Platformës Kerkoj, të cilët shprehën gatishmërinë dhe vullnetin për të na mbështetur përgjatë fushatës në konceptimin e dizajneve të edicionit të dytë të fushatës #dashniekujdes.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)