28 Prill 2024

Qytetarët e Kosovës ende vdesin nga rriqrat

Prishtinë, 2 gusht - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar një tryezë me temën “Kosovarët ende vdesin nga rriqrat?!!”, ku është diskutuar lidhur me gjendjen alarmante në Kosovë nga epidemia vdekjeprurëse e etheve hemorragjike “Krime Kongo”.

Pjesëmarrësit kanë vlerësuar se me gjithë gjendjen e rëndë, masat e ndërmarra dhe buxheti i ndarë për ballafaqimin me këtë fenomen janë të pamjaftueshme.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani ka folur për aktivitetet e ndërmarra nga ky institucion, si dhe për themelimin e Këshillit Ndërministror për luftimin dhe parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime-Kongo.

Ai ka thënë se problemi është në një fazë endemike dhe se për këtë virus ende nuk ka ilaç. “MSH është e përkushtuar të zbatojë planin strategjik në kuadër të përgjegjësive”, ka thënë Agani, ndërkohë ka shtuar se trajtimi i të prekurve me këtë virus bëhet me mjetet më bashkëkohore.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani ka bërë një prezantim të detajuar rreth këtij virusi, duke folur për etiologjinë, shkaktarët, përhapjen, etj.

“Malisheva e ka humbur “rripin e sigurisë” pasi ka shumë tokë të papunuar. Pastaj, njerëzit nuk marrin masa individuale për t’i larguar rriqrat nga kafshët shtëpiake”, ka thënë Ramadani.

Haxhi Avdyli, mjek, i afërt i viktimës së nëntë të ndodhur të premten nga ethet hemorragjike, i ka bërë thirrje Qeverisë që të dhjetëfishoj buxhetin për të trajtuar këtë problem.

Ndërkaq, Bajram Imeri nga Ministria e Bujqësisë ka deklaruar se ministria që ai përfaqëson ka kontaktuar kompani që merren me dez-insektim dhe se do të spërkaten dy herë zonat endemike.

Deputeti i Parlamentit të Kosovës nga rajoni i Malishevës, Salih Morina ka bërë vërejtje sidomos për shumën e buxhetit të ndarë, pasi sipas tij kjo shumë ka qenë e pamjaftueshme.

Ndërkohë, ai ka shtuar se përgatitjet për luftimin e rriqrave duhet bërë qysh në muajin janar dhe shkurt.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, ka thënë se prej vitit 2007 deri më tani është bërë spërkatja selektive, ndërkohë ka cekur se kjo nuk është punë e Komunës, por do të duhej që të merren institute dhe mekanizma tjerë.

“Vetëm këtë vit, më shumë sesa viteve tjera, Komuna e Malishevës ka ndarë 60 mijë euro”, ka thënë Kilaj.

Ai po ashtu ka deklaruar se janë duke u zhvilluar edhe fushata edukuese nëpër shkolla dhe atë nga dy herë në çdo shkollë. Ai ka thënë se Komuna është në fazën e procesit të tenderimit për spërkatjen për vitin 2014.

Pjesëmarrësit kanë diskutuar dhe kanë dhënë rekomandime të ndryshme në mënyrë që të gjenden format më të mira për luftimin e këtij virusi.

Pjesa më e madhe e të pranishmëve kanë kritikuar institucionet përgjegjëse për neglizhencë dhe ndarje të mjeteve të pamjaftueshme për këtë problem. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)