29 Mars 2024

Promovohet udhërrëfyesi për kontrollin e kancerit

Prishtinë, 4shkurt - Me rastin e 4 Shkurtit-Ditës Ndërkombëtare kundër Kancerit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka publikuar sot në Prishtinë udhërrëfyesin: "Programet Nacionale të Kontrollit të Kancerit".

Në këtë ceremoni, kanë marrë pjesë Ministri i Shëndetësisë  i Republikës së Kosovës, Alush Gashi, shefi i Zyrës së OBSH-së në Prishtinë Skënder Syla,  përfaqësuesi i Qeverisë së Luksemburgut, Pierre Weber, drejtori i IKSHP-së  Naser Ramadani,  kryetari i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, Besim Sllamniku, profesionistë shëndetëor dhe aktivistë në luftën kundër kancerit.

Ministri i Shëndetësisë Alush Gashi tha se promovimi i Udhërrëfyesit është një moment i mirë që të mobilizojmë forcat, dijen dhe kapacitetet kosovare për krijimin e një Programi Nacional për Kontrollin e Kancerit, në kuadër të politikave të sistemit shëndetësor.

“Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, e vetëdijshme se kanceri paraqet sot një problem  global që sfidon ashpër shëndetin e miliona njerëzve anekënd botës, bashkë me sistemet shëndetësore dhe ekonomike të tyre, i ka kushtuar vëmendje të veçantë ngritjes së kapaciteteve për parandalimin, diagnostikimin, trajtimin dhe kujdesin për ata që janë prekur nga sëmundja. Gjatë vitit që shkoi, vëmendje të posaçme i kemi kushtuar rritjes së numrit te specializantëve për shumë herë në Onkologji, mbështetje organizimit të konferencave profesionale-shkencore vendore e ndërkombëtare, organizimit të caktimit konsiliar të tarapisë për kancer në QKUK, begatimit të Listës Esenciale për Kimioterapi, rritjes së buxhetit për citostatikë për 15 herë, edukimit të kuadrit mjekësor për radioterapi, rregullimit të vijës së referimit të institucioneve publike dhe private, intensifikimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë lëmi me ekspertë nga Evropa e veçanërisht nga SHBA-të për vetëdijesim dhe Organizim të Qendrës Ballkanike për Kancerin e Gjirit, trajnime dhe fushatë vetëdijesuese për mamografi në spitalet e vendit, me bindje të plotë se vetëdijesimi mund të ndihmojë në parandalimin e kancerit dhe shpëtimin e shumë jetëve”, ka theksuar ministri.

Ai tha se  është çështje javësh, kur Kosova përfundimisht do të fillojë të aplikojë radioterapinë në Institutin Onkologjik dhe kështu, do të kompletohet hallka e mjekimit të sëmundjeve malinje në Kosovë, ku aplikimit të Kimioterapisë, Trajtimit Kirurgjik dhe hormono-terapisë, po i shtohet edhe radioterapia.

Ministri ka thënë se Kosova do t’i qaset me seriozitet hartimit të një Plani Nacional për Kontrollin e Kancerit.

Shefi i OBSH-së në Kosovë, dr. Skënder Syla, ka prezantuar shifrat që posedon OBSH-ja lidhur me kancerin në nivel global dhe ka theksuar se udhërrëfyesi që u publikua edhe në gjuhën shqipe, është një dokument i mirë për hartimin e Programeve nacionale të shteteve të ndryshme në luftën kundër kancerit.

Drejtori i IKSHP-së, dr. Naser Ramadani, krahas rreziqeve të tjera në luftën kundër kancerit, si rrezik të madh e ka vlerësuar mungesën e të dhënave të sakta për incidencën e kancerit.  Ai tha se IKSHP po krijon njësinë e veçantë për Regjistër të kancerit dhe kjo do të jetë bazë e mirë për krijimin e programit Nacional për kontrollin e kancerit.

Kryetari i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës dr. Besim Sllamniku ka vlerësuar se për dallim prej vendeve të tjera ku kanceri zakonisht zbulohet në stadet e hershme, pacientët në Kosovë, zakonisht diagnostikohen në stadet  e vonshme dhe kjo paraqet vështirësi në trajtimin efikas të prekurve nga sëmundja.

Kurse, dr. Agron Gashi, nga UNICEF-i ka rrëfyer përvojën e tij personale në mundjen kancerit.

Motos së Ditës  Botërore se “kanceri mund të parandalohet”, pas një rrëfimi emocional nga Gashi, tha duhet t’i shtohet edhe fjalia se “kanceri mund edhe të shërohet”.

Sipas të dhënave të OBSH-së, kanceri është një sëmundje që po bëhet gjithnjë e më tepër faktor në barrën globale të sëmundjeve, duke sfiduar shëndetin e miliona njerëzve anekënd botës. Numri i përllogaritur i rasteve të reja për çdo vjet rritet prej 10 milionë në vitin 2000 deri në 15 milionë të supozuar në vitin 2020.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)