Pacientët në QKUK kanë mbetur pa barna
Prishtinë, 16 janar - Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të premten kanë munguar shumica e llojeve të anestetikëve, infuzioneve dhe materialit tjetër shpenzues.
Kjo e ka sjellë buzë kolapsit shumicën e shërbimeve shëndetësore në këtë institucion. Gjendja mund të përkeqësohet edhe më shumë në fundjavë, sidomos në Repartin e Hemodializës, ku pacientët i nënshtrohen procesit çdo 48 orë.
Barna nuk ka as për pacientët e Repartit të Hematologjisë. Në këtë repart trajtohen fëmijët të cilën janë diagnostifikuar me leukemi akute.
Sipas të dhënave të QKUK-së në këtë repart janë të shtrirë 40 fëmijë - familjarët e tyre janë të detyruar të sigurojnë vetë terapinë.
Mungesa kaq të mëdha të furnizimit në sistemin publik shëndetësor nuk ka pasur në pesë vitet e fundit. Kjo sipas burimeve në QKUK ka ndodhur për shkak të moskoordinimit të Ministrisë së Shëndetësisë me këtë institucion, shkruan Koha Ditore.
/Koha Ditore/