OBSh shpall fundin e epidemisë së ebolës në Afrikën Perëndimore
Gjenevë, 15 janar - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar fundin e epidemisë së ebolës në Liberi.
Kjo është një arritje e rëndësishme që kur epidemia filloi të përhapej në pyjet e Guinesë Lindore në dhjetor të vitit 2013, e që më pas u përhap në Liberi dhe Sierra Leone.
Autoritetet thonë se është ende shumë herët për të deklaruar një fund të përgjithshëm të epidemisë.
Ekziston mundësia që virusi të rishfaqet tek ndonjë i mbijetuar dhe të transmetohet përmes seksit dhe rrugëve të tjera.
Epidemia ka vrarë mbi 11 mijë e treqind persona nga 28 mijë e 600 raste që nga viti 2013.
Të infektuar ka pasur në shtatë vende të tjera, duke përfshirë Nigerinë, Shtetet e Bashkuara dhe Spanjën, edhe pse pothuajse të gjitha vdekjet ndodhën në tre shtetet e Afrikës Perëndimore.