MSH dhe Lux-Dev prezantojnë Programin për shëndetësi

Prishtinë, 18 maj - Në Ministrinë e Shëndetësisë u mbajt sot takimi i parë i Komitetit Drejtues të Projektit KSV/017 Programi përkrahës për shëndetësinë në Kosovë-Faza II që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Luksemburgut dhe që implementohet nga Agjensioni për Zhvillim dhe Bashkëpunim i Luksemburgut-Lux Dev dhe Ministria e Shëndetësisë.
Në këtë takim është bërë prezantimi i raportit fillestar si dhe një prezantim i përgjithshëm i aktiviteteve që do të implementohen përgjatë tërë periudhës së projektit si dhe është bërë prezantimi detaj i Planit të Veprimit për 2016 dhe modalitetet e zbatimit të aktiviteteve të parapara.
Ministri Imet Rrahmani tha se MSh është duke punuar intensivisht në mënyre që të implementojë katër shtyllat e reformës shëndetësore.
Disa pjesë të reformës janë duke u implementuar me intensitet më të shpejtë, e disa pak më të ngadalshëm, por jemi duke bërë maksimumin që të shfrytëzojmë resurset të cilat i kemi në dispozicion. Jemi angazhuar intenzivisht që të plotësojmë të gjitha parakushtet për fillimin e grumbullimit të premiumeve, jemi para dërgimit të kërkesës në Qeveri miratimin e fillimit të mbledhjes së premiumeve, tha Ministri duke theksuar se po punohet në plotësimin e numrit të stafit të MSh-së në mënyre që të fuqizohet dhe riorganizohet Ministria konform reformës shëndetësore, ku kjo Ministri do ta ketë rolin e rregullatorit të sektorit shëndetësor, në bërjen e politikave si dhe marrjen e vendimeve të bazuara në nevojat e qytetarëve.
Sa i përket Programit KSV 017, që e pason KSV/014-shin, Ministri Rrahmani tha se duke punuar ngushte me ekipin e projekti KSV/017, është arritur një praktike shumë e mirë dhe një shembull shumë i mirë ku projekti është përshtatur plotësisht nevojave të MSh-së dhe plotësisht i përshtatur me aktivitetet e parapara në strategjinë sektoriale 2016-2020 si dhe vullnetin për të kontribuar në ngritjen e kapaciteteve institucionale që do të sigurojnë qëndrueshmërinë e mbështetjes së ofruar.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Luksemburgut në Kosovë, z. Pierre Weber tha se nuk janë të shpeshta rastet kur bashkëpunohet, siç vlerësoi ai, kaq mirë në projekte të përbashkëta si ky program, që donatorin e bën të ndihet se po kontribuon në sistemin shëndetësor në Kosovë.
Ai tha se rruga për zbatimin e reformave në shëndetësi është e gjatë dhe e vështirë, por përgëzoi Ministrinë për frymën e lartë të bashkëpunimit dhe se, së bashku, theksoi ai, do tia dalim ti implementojmë projektet. Jemi shumë të lumtur që kemi mundësi të ndihmojmë Kosovën në ngritjen e resurseve dhe kapaciteteve të saja në shëndetësi, tha Weber.
Projekti KSV/017 do ti ofrojë përkrahje MSh-së dhe sektorit të shëndetësi në tërësi për fuqizimin e roleve, përgjegjësive dhe mjeteve të tjera të nevojshme për reformën bazuar dhe harmonizuar me Planin e Veprimit të Strategjisë Sektoriale Shëndetësore 2016-2020, duke ndihmuar në përmirësimin e kapaciteteve planifikuese, udhëheqëse dhe menaxheriale të akterëve në shëndetësi; ngritjen e mëtejme të Sistemit të Informimit Shëndetësor, fuqizimin e Odave të Profesionistëve Shëndetësor, etj.
Kohëzgjatja e fazës së II-të të Projektit KSV/017 përfshin periudhën 2016-2019.