29 Prill 2024

Miratohet Statuti i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar

Prishtinë, 11 shtator - Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u miratua Statuti i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), që shënon fillimin e reformës së sistemit shëndetësor në Kosovë, si model unik i jetësimit të Strategjisë Evropiane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë “Shëndetësia 2020”.

Miratimi i Statutit të SHSKUK ,do të mundësojë fillimin e procesit të zgjidhjes së drejtorëve të njësive përbërëse të këtij shërbimi, sipas Ligjit të Shëndetësisë dhe të punësuarit në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës nuk i takojnë më shërbimit civil, por do të jenë shërbyes publikë.

Ministria e Shëndetësisë pret që institucioni i ri shëndetësor që do të integrojë shërbimin e QKUK-së dhe shërbimet e spitaleve të përgjithshme në nivel vendi,  do të mundësojë shkallë të lartë të autonomisë menaxheriale dhe do të jap rezultate cilësore të punës, duke siguruar  shërbime kualitative shëndetësore për qytetarët e vendit.