27 Prill 2024

Ministri Agani priti ekspertë italianë të fushës së luftës kundër kancerit

Prishtinë, 2 shtator - Ekspertët e projektit Euromed Cancer, Dr. Luigi Bisanti nga Instituti i tumoreve në Milano, dhe Dr. Lina Jaramillo nga Qendra për Parandalimin e Kancerit të Pidemontit në Torino do të mbështesin Kosovën si njërin prej 3 vendeve të përzgjedhura të Mediteranit për ndërtimin e skrining programeve kundër kancerit te gjirit dhe llojeve të tjera të kancerit.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, prof. dr. Ferid Agani priti sot në takim ekspertët e Projektit Euromed Cancer nga Italia, dr. Luigi Bisanti dhe Dr. Lina Jaramilla, të cilët po qëndrojnë për një vizitë në disa institucione shëndetësore të Kosovës, në kuadër të realizimit të një projekti që ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve për skrining të kancerit të gjirit në Kosovë.

Dr. Luigi Bisanti vjen nga Instituti i tumoreve në Milano, kurse Dr. Lina Jaramillo nga Qendra për Parandalimin e Kancerit të Pidemontit në Torino.

Ekspertët nga Italia gjatë vizitës së tyre në Kosovë po shoqërohen nga Kryetari i Bordit për Zhvillimin e Programit Shtetëror për parandalimin dhe luftimin e kancerit, Dr. Elvis Ahmedi dhe anëtarë të tjerë të këtij bordi.

Gjatë takimit me ekspertët italianë, Ministri Agani ka njoftuar ata me hapat që ka ndërmarrë MSh për adresimin sa më korrekt të problematikës së kancerit në Kosovë, duke theksuar me këtë rast krijimin e Bordit i cili do të ndihmojë në hartimin e politikave adekuate kundër kancerit si dhe krijimin e shërbimeve të reja diagnostike dhe të trajtimit të kancerit.

Bazuar në nismën e Bashkimit Evropian për zvogëlimin e dispariteteve ndërmjet vendeve të BE dhe vendeve të Evropës Juglindore dhe disa vendeve të Mediteranit, Ministria e Shëndetësisë së Italisë ka marrë përgjegjësinë për mbështetje të këtyre vendeve përmes projektit EUROMED për të filluar ngritjen e kapaciteteve në zhvillimin e programeve Nacionale të zbulimit të hershëm, skriningut  dhe trajtimit të kancerit të gjirit, cervikal dhe kolorektal.

Projekti është i mbështetur nga OBSH përmes përfaqësuesit të Zyrës së OBSH për Kontroll të Kancerit në Gjenevë dhe nga Agjencia Ndërkombëtare për Hulumtim të Kancerit (IARC - International Agency for Research on Cancer) në Lyon, Francë.

Udhëheqësit e Projektit EUROMED kanë vendosur për mbështetje të drejtpërdrejtë të 3 nga 15 vendet e Mediteranit dhe bazuar në përfaqësimin e denjë të Kosovës në Shkollimin në Lion (dr. Elvis Ahmedi dhe Dr. Mejreme Maloku-Krasniqi), një nga këto 3 vende të përzgjedhura është Kosova, prandaj gjatë vizitës në Kosovë, ky ekip i ekspertëve italianë do të zhvillojë takime me vendim-marrësit dhe vizita në institucionet relevante shëndetësore, përfshirë edhe një seminar për profesionistet e fushës përkatëse, me qëllim që të ndihmojë në fillimin e ndërtimit të skrining programeve për kancerin e gjirit në Kosovë dhe kanceret e tjera.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)