30 Prill 2024

Ministri Agani po realizon vizitë zyrtare në SHBA

Washington, 11 qershor - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, po qëndron për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me ftesën e Presidentit të organizatës “Project Hope”, Dr. John Dowe, ministri Agani po merr pjesë në Konferencën vjetore të donatorit më të madh ndërkombëtar të barnave dhe materialit harxhues për Kosovë, “Project Hope”, organizatë kjo që prej vitit 2010 e deri më tani ka dhuruar barna, material harxhues dhe pajisje mjekësore në vlerë prej 30 milionë dollarëve për shëndetësinë kosovare.

Ministria e Shëndetësisë planifikon thellimin e këtij bashkëpunimi në fusha të ndryshme si Onkologjia, Kardiokirurgjia dhe Shëndeti i nënave dhe fëmijëve.

Gjatë ditës së sotme, Ministri Agani do të realizojë takime të punës në selinë e Bankës Botërore në Uashington DC përkitazi me projektin mbështetës pesë-vjeçar të Bankës Botërore për reformën e shëndetësisë kosovare  në vlerë prej 25.6 milionë dollarëve,  i cili u miratua nga Bordi Ekzekutiv i BB në maj të këtij viti.

Në pjesën e dytë të vizitës në Nju Jork, përveç takimit me përfaqësuesit e ekspertëve shëndetësorë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në New York, ministri Agani do të realizoje takim me Rob Raylman, Drejtorin Ekzekutiv të Organizatës \"Gift for Life\",  e cila ka dhënë dhe jep kontribut të jashtëzakonshëm për fëmijët me probleme kirurgjike të zemrës,  duke mundësuar trajtimin e dhjetëra rasteve më të komplikuara jashtë vendit, organizatë kjo me të cilën në të ardhmen e afërt, planifikohet që të zhvillohen kapacitetet vendore për trajtimin kardio-kirurgjik të fëmijëve në Kosovë.

Në fund të vizitës, më 16 qershor, është planifikuar takimi me Prof. Dr. Steven Wein nga Universiteti i Illinoisit në Çikago, udhëheqësin e projektit ndërkombëtar për zhvillimin e kapaciteteve hulumtuese dhe shkencore në lëmin e shëndetit mendor në Kosovë dhe Taxhikistan,  të financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit i SHBA (NIH).

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)