22 Mars 2023

Mblidhën 33 mijë euro në ngjarjen bamirëse për nënat dhe fëmijët Let’s Dance

Prishtinë, 23 shtator - Pas dy viteve pauzë për shkak të pandemisë Covid-19, edicioni i 6-të i ngjarjes bamirëse Let’s Dance u rikthye me shumë energji për të ndihmuar nënat dhe fëmijët në vend. Kësaj here ngjarja u mbajt në Klan Arena, ku morën pjesë rreth 400 mbështetës të misionit të AMC-së për përmirësim të shëndetit të nënave dhe fëmijëve.

Si çdo vit, qëllimi i kësaj ngjarjeje ishte që të mbledhë fonde të cilat më pas përmes Fondacionit Aksioni për Nëna dhe Fëmijë do të destinohen për të mbështetur programe të ndryshme shëndetësore për të siguruar medikamente dhe pajisje mjekësore për institucionet shëndetësore publike në vend.

Drejtori ekzekutiv Vlorian Molliqaj u shpreh mirënjohës dhe falënderues ndaj të gjitha kompanive që e kanë sponsorizuar këtë ngjarje, përfshirë këtu edhe vullnetarët, mbështetësit, partnerët dhe të gjithë të pranishmit.

Molliqaj foli mbi rolin e filantropisë për të arritur ndryshimet rrënjësore në vend, duke theksuar se forcimi i sistemit shëndetësor duhet të jetë një prioritet për të gjithë ne pasi që vetëm me një sistem shëndetësor të fortë e të zhvilluar do të mund të ofrojmë shërbime cilësore shëndetësore për secilin qytetarë dhe poashtu të krijojmë kushte me të mira për punonjësit shëndetësorë të cilët çdo ditë e më shumë po largohen nga institucionet shëndetësore.

Ai poashtu prezantoi para të pranishmëve arritjet kryesore të AMC-së përgjatë viteve të kaluara, duke nënvizuar mijëra jetë të foshnjave të shpëtuara falë pajisjeve mjekësore dhe medikamenteve të dhuruara nga AMC në institucionet shëndetësore në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)