29 Prill 2024

Mbipesha dhe obesiteti janë faktorët kryesor në përhapjen e diabetit

Prishtinë, 8 korrik - Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së ka organizuar sot diskutimin “Jeta e shëndetshme dhe diabeti”, si pjesë e fushatës së saj për mjedisin dhe shëndetin.

Endokrinologja Dr.Merita Emini Sadiku, njëherit përfaqësuese e Shoqatës së Endokrinologëve tha se jeta dinamike ka bërë që njerëzit të ushqehen me ushqime të shpejta e të pashëndetshme dhe të mos kenë aktivitete fizike, gjë që po ndikon në përhapjen e diabetit tek të gjitha moshat.

Mbipesha dhe obesiteti janë ndër faktorët kryesor që ndikojnë në shfaqjen e  kësaj sëmundje, krahas faktorëve gjenetik, stresit etj, theksoi ajo. Ushqimi në orare të rregullta dhe i pasur me drithra, pemë e perime ka rol kryesor në trajtimin e diabetit, porositi dr.Merita Emini Sadiku.

Në Kosovë në mungesë të sistemit të informimit shëndetësor, nuk ka statistika të sakta për numrin e pacientëve që vuajnë nga diabeti.

Por sipas udhëheqësit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Skënder Syla rreth 350 milionë njerëz në botë vuajnë nga diabeti, ndërsa 3.5 milionë vdesin çdo vit.

Ai  theksoi nevojën për parandalimin e përhapjes së diabetit përmes edukimit shëndetësor dhe ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për këtë sëmundje.

Dr.Tahire Maloku Gjergji nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) tha se Kosova ka fatin që përkundër popullatës së re, numri i fëmijëve me mbipeshë dhe obesitet është i ultë. Një hulumtim i IKSHP-së i vitit 2010 ka gjetur se 3-4% e fëmijëve janë me mbipeshë, ndërsa 1.2% obesë.

Në mungesë të raportimit të pacientëve me diabet dhe të një databaze, krahas mungesës së statistikave në Kosovë nuk ka as strategji për parandalimin dhe luftimin e diabetit.

Këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë, Izet Sadiku tha se ministria po përpiqet sa më shpejt ta formojë sistemin e informimit shëndetësor, gjë që do t’i orientonte politikëbërësit në hartimin e strategjive përkatëse.

Ai bëri të ditur se përkundër buxhetit të ultë që ka, Ministria e Shëndetësisë mbulon nevojat e të gjithë pacientëve diabetikë për insulinë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)