22 Mars 2023

Mbahet mbledhja e parë e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi

Prishtinë, 14 shtator - Në pasditen e ditës së formimit me vendim të Qeverisë, nën kryesimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi mbajti mbledhjen e parë.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti tha se besimi i qytetarëve në ndryshim është i madh dhe se ky besim duhet të korrespondojë me vullnetin dhe gatishmërinë e qeverisë, për të ju qasur sfidave me seriozitet.

Ai shtoi se qytetari në rend të parë e ka shëndetin, dhe kujdesin ndaj të njëjtit duhet ta gëzojë, pa pagesë, nga profesionistët në çdo kohë. “Përkushtimi im e koha ime nuk do të mungojë në asnjë moment”, u shpreh kryeministri Kurti.

Në anën tjetër, ministri Shëndetësisë, Rifat Latifi u shpreh i lumtur për vendimin e formimit të Komisionit.

Ai tha secili prej anëtarëve të Komisionit ka shumë punë përpara, dhe u shprehë i bindur se së bashku do t’ia dalin mbanë.

Në këtë takim, përpos diskutimit mbi përgjegjësitë e Komisionit, u bë edhe ndarja punëve dhe përgjegjësive të anëtarëve të këtij Komisioni.

Sipas vendimit të sotëm të Qeverisë, Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi përbëhet nga kryeministri, ministri i Shëndetësisë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, zëvendësministrja dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, këshilltari i Kryeministrit për Shëndetësi, këshilltari i Kryeministrit për Teknologji të Informacionit, zëvendësuesja e drejtores së ShSKUK dhe kryetarja e Bordit të ShSKUK-së.

Përgjegjësitë e Komisionit janë:

1. Analiza dhe definimi i ndarjes dhe bashkëpunimit publiko-privat në shëndetësi;

2. Zhvillimi i sistemit informativ në shëndetësi për ta informatizuar në tërësi sistemin shëndetësor, në të gjitha nivelet (primar, sekondar, terciar) e sektorët (privat dhe publik)

3. Reformimi i ShSKUK-së përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale;

4. Zhvillimi i sektorit publik të shëndetësisë në kuptim të ngritjes së kapaciteteve të shërbimit e kujdesit shëndetësor dhe ndërlidhjes me studimin e punën universitare dhe shkencore;

5. Themelimi i Spitalit Rajonal të Prishtinës.

6. Ndërveprimi me pesë odat e profesionistëve shëndetësorë: të mjekëve, të infermierëve, të stomatologëve, të farmacistëve dhe të fizioterapeutëve.

​ 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)