15 Maj 2024

Komisioni për Shëndetësi interesohet për shërbimet në QKUK

Prishtinë, 5 nëntor - Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë ditës së sotme kanë vizituar Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dhe  nga drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së,  bordi drejtues si  dhe nga profesionistët shëndetësorë janë njoftuar në lidhje me gjendjen aktuale në njësitë përbërëse të SHSKUK-së,  sfidat, problemet dhe aktualitetet tjera.

Në takim ishin prezentë dr. Flora Brovina, kryetare e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale,  Z. Fikrim Damka, anëtar i komisionit, Znj. Njomza Emini, anëtare,  dhe Znj. Safete Hadërgjonaj, zv. kryesuese e Komisioni për Buxhet dhe Financa.

Dr. Flora Brovina, Kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, tha se qëllimi i takimit është njohja nga afër me punën që bëhet në SHSKUK, sidomos në Shërbimin e Kardiokirurgjisë, Klinikën e Neonatologjisë dhe atë të Pediatrisë. “ Ne kemi pasur disa takime në vendet e rajonit, kemi parë punën që bëhet në Shqipëri dhe Mal të Zi dhe erdhëm të ju vizitojmë,  e  të shohim mundësinë që të rritet bashkëpunimi rajonal”, tha znj. Brovina.

Në takim, drejtori Curr Gjocaj, njoftoi  komisionin në lidhje me raportin  nëntë mujor të punës për të gjitha njësitë përbërëse të SHSKUK-së, duke sqaruar se janë kryer mbi 29.000 operacione dhe mijëra vizita dhe ekzaminime tjera mjekësore.  “ Edhe pas formimit të SHSKUK-së, buxheti ka mbetur i njëjti, madje ka pasur zbritje në shumë kategori, edhe pse realisht patëm shpresuar se do të hyjë në funksion Ligji për Sigurime Shëndetësore, por kjo nuk ndodhi dhe ne kemi mbetur me buxhetin e vjetër”, njoftoi dr. Gjocaj.

Ai tha se përkundër faktit se hapen shumë shërbime të reja,  SHSKUK nuk po ka mundësi të shtojë numrin e të punësuarve mjekë dhe infermier.  Sipas tij, SHSKUK ka nevojë edhe për pajisje të reja meqë shumë nga to janë vjetruar dhe amortizuar, por buxheti aktual e pamundëson blerjen e tyre.

Megjithatë,  sipas tij, SHSKUK ka përfituar nga donacionet vetëm këtë vit mbi 12 milionë euro për projekte të ndryshme dhe  2.6 milionë euro barna dhe material shpenzues.

Dr. Sadik Llullaku, kryesues i Bordit Drejtues të SHSKUK-së,  njoftoi  se  SHSKUK është  formuar bazuar në Ligjin në Ligjin për Shëndetësi.

 “Bordi drejtues si  organi më i lartë drejtues i SHSKUK-së ka punuar dhe po punon në drejtim të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore.  Sipas tij është punuar shumë në furnizimin me barna dhe material shpenzues, megjithëse ka  disa barna të shtrenjta që ende kanë mbetur barrë e SHSKUK-së, e që në fakt janë pacientë ambulatorë.

Ai propozoj se ndoshta këto barna do të ishte mirë të siguronte Ministria e Shëndetësisë.

Poashtu, dr. Llullaku  tha se prej formimit të SHSKUK-së, është bërë punë e mirë dhe se është optimist se me zhvillimin e disa projekteve të reja me investime, por edhe nga donatorët, brenda 2-3 vjetëve  do të ketë përmirësime të dukshme.

Lidhur me shqetësimet buxhetore dhe nevojën e investimeve më të mëdha në SHSKUK, foli edhe dr. Shemsi Veseli, anëtar i Bordit Drejtues SHSKUK.  Sipas tij, SHSKUK nuk po ka mundësi të punësoj subspecialistët dhe ata po detyrohen të dalin jashtë vendi si kuadro të gatshme pë punë. Ai propozoi që të shihet mundësia që kuadër të Qendrave të Mjekësisë Familjare të punësohen edhe specialistë të caktuar dhe jo vetëm mjekët familjarë.

Znj. Safete Hadërgjonaj, zv. Kryesuese e komisionit tha se bazuar në  buxhetin e propozuar në vitin 2016, nuk pritet të ketë risi për SHSKUK.  “ Kryesisht bëhet fjalë për projekte të bartura nga viti i kaluar, por nuk ka ndonjë rritje buxhetore.  Mendoj se duhet të krijohet një sistem dhe një kontrollim dhe monitorim më i mirë i shfrytëzimit të buxhetit” theksoi znj. Hadërgjonaj.

Dr. Raif Qavolli, Ud. Drejtor  i Shërbimit të Kardiokirurgjisë theksoi se  janë riorganizuar dhe me gjithë vështirësitë dhe sfidat,  është arritur që të operohen 6 pacientë dhe se nevojitet  përkrahje e vazhdueshme buxhetore për të investuar në zhvillimin e mëtejmë.

Dr. Mynevere  Hoxha, Drejtoreshë e Klinikës së Neonatologjisë  prezantoi nevojat që ka kjo klinikë për paisje të reja dhe rezultatet e punës. “  Në vitin  1999 vdekshmërinë e foshnjave e kishim 31 promilë, tani ka rënie në 9.1 promilë për  foshnjat që lindin në Klinikën e Gjinekologjisë dhe kjo është sukes i madh ”, përfundoi dr. Hoxha.

Për  Klinikën e Pediatrisë, foli dr. Muharrem Avdiu, i cili poashtu, prezantoj kërkesat për investime në këtë klinikë.

Znj. Lirije Beqiri, koordinatore e infermierisë në nivel të SHSKUK-së, tha se në nivel të  SHSKUK-së- QKUK ka mungesë të 150 infermierëve.

Në takim u bisedua edhe në lidhje me kërkesat e tjera që  ndërlidhen me zhvillimin e klinikave në QKUK dhe SHSKUK në përgjithësi.

Zyrtarët e komisionit për shëndetësi nga afër vizituan Shërbimin e Kardiokirurgjisë,  Klinikën e Neonatologjisë dhe atë të Pediatrisë ku biseduan më profesionistët shëndetësorë dhe dëgjuan shqetësimet  e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)