08 Maj 2024

Kërkohet ulje e shkallës së përdorimit të panevojshëm të antibiotikëve

Prishtinë, 25 mars - Grupi ndër-sektorial për Kontrollin e Rezistencës Animikrobike (GNKRA) në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP) dhe Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinës të Universitetit të Prishtinës kanë prezantuar sot rezultatet e projektit të përmbyllur shkencor “ Mbikëqyrja e integruar e rezistencës antimikrobike në Kosovë”.

Në kuadër të projektit u realizua mbikëqyrja e rezistencës antimikrobike në mostrat humane, në ushqim dhe në sektorin e veterinës. Po ashtu, u realizua edhe mbikëqyrja e përdorimit të antibiotikëve në Kujdesin Parësor të Kosovës.

Në prezantim të rezultateve, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani tha se realizimi i këtij projekti tregon se pavarësisht vështirësive dhe sfidave të cilat i ka pasur sektori shëndetësor në Kosovë gjatë periudhës së tranzicionit, me angazhimin e profesionistëve dhe institucioneve, mund të realizohen projekte të mëdha të cilat shëndetësisë kosovare i bëjnë vend në mesin e shëndetësisë evropiane.

Ministri tha se Kosova është një nga vendet e rralla të rajonit që ka zhvilluar Strategjinë për luftimin e rezistencës antimikrobiale, ka nxjerrë Udhëzimin për  luftimin e infeksioneve brenda spitalore dhe ka formuar Grupin punues   ndër-sektorial për Kontrollin e Rezistencës Animikrobike (GNKRA). “Kemi krijuar mekanizmat dhe instrumentet e nevojshme  për të zbatuar  rekomandimet që dalin nga projekti i realizuar që ka të bëjë me përdorimin e kontrolluar të antibiotikëve në Kosovë”.

Dr. Skënder Syla,  shef i Zyrës së OBSh-së tha se përmes projektit të realizuar janë arritur rezultate të mira dhe projekti i ka mundësuar Kosovës që të shoh cilat janë praktikat e vendeve evropiane lidhur me përdorimin e antibiotikëve. “Shpresojmë që me hapat e tjerë, MSh do të krijojë mundësi që të parandalohet blerja e antibiotikëve  pa përshkrimin e mjekëve në farmaci”, tha dr. Syla.

Prof. Dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së tha se ky institut dhe institucionet e tjera shëndetësore në vend i kanë të gjitha kapacitetet për të fuqizuar masat për përdorimin e kontrolluar të antibiotikëve në Kosovë.

Dr. Lul Raka, mikrobiolog nga IKSHP dhe kryesues i Grupit ndër-sektorial për Kontrollin e Rezistencës Animikrobike, që është edhe autor i publikimit të të dhënave për përdorimin e antibiotikëve në revistën e njohur prestigjioze “The Lancet Infectious Diseases”, tha se Kosova ka bërë hapa të mirë në këtë fushë duke nxjerrë e para në rajon Strategjinë për luftimin e rezistencës antimikrobiale dhe ka zhvilluar edhe hulumtimin rreth shkallës së përdorimit të antibiotikëve, por ka vlerësuar se shkalla e përdorimit të tyre në vend është e lartë, dhe në këtë aspekt, hulumtimi tregon edhe në cilat drejtime duhet orientuar në të ardhmen në mënyrë që përdorimi i antibiotikëve të jetë i kontrolluar dhe të parandalohet rezistenca antimikrobiale, që sot është një problem i madh i shëndetit publik në botë.

Ai tha se Kosova është e ranguar lart sa i përket përdorimit të antibiotikëve  në mesin e shteteve të Evropës Juglindore, duke u renditur e dhjeta, në mesin e vendderisa shquhet për shkallë të lartë të përdorimit të Ceftriaksonit parenteral në Evropë.

Prezantime lidhur me adresimin e rezistencës antimikrobiale si në sektorin shëndetësor ashtu edhe në atë të veterinës kanë prezantuar edhe Hilde Kruse, Menaxhere e Programit për Sigurinë e Ushqimit  nga Zyra e OBSH-së-Kopenhagë, Hysen Bytyqi e Beqë Hulaj, nga Agjencioni i Veterinës dhe Ushqimit, Shaip Krasniqi nga Universiteti i Prishtinës,  etj.

Në këtë takim, u vlerësua se hapat pozitiv që janë bërë në uljen e përdorimit të antibiotikëve duhet të fuqizohen në një bashkëveprim ndër-sektorial.

Projekti “ Mbikëqyrja e integruar e rezistencës antimikrobike në Kosovë” është mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë-Zyra në Kopenhagë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)