02 Maj 2024

Kërkohet rritja e shkallës së vigjilencës kundër Etheve Hemorragjike

Prishtinë, 22 maj - Nën kryesimin e Ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sot u mbajt takimi i Këshillit Ndërministror për parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo, në të cilin u analizua situata epidemiologjike.

Në këtë takim u raportua se deri tash janë regjistruar 720 raste të pickimit të rriqrave, pjesa më e madhe në komunën e Malishevës, ndërsa prej këtyre rasteve vetëm dy prej tyre kanë rezultuar pozitive në Ethe Hemorragjike Krime Kongo (EHCC), dhe në të dy rastet, EHCC nuk është shkaktuar nga pickimi i rriqrave, por nga ndrydhja e tyre nga ana e qytetarëve.

Ky numër i pickimeve është më i vogël se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sidoqoftë, Këshilli Ndërministror, pas analizës së hapave që janë duke u ndërmarrë në terren nga Ministritë dhe agjensionet përkatëse, në bashkëpunim me autoritetet lokale të këtyre komunave (informimi dhe vetëdijesimi i qytetarëve, pastrimi i shtallave dhe oborreve, dezinfektimi selektiv,  puna me qytetarë dhe nxënës të shkollave për masat parandaluese, etj.), ka apeluar te qytetarët e komunave endemike për EHCC, që ta shtojnë maksimalisht vëmendjen, duke qenë që periudha prej 25 maj deri në fund të qershorit paraqet periudhën më të rrezikshme sa u përket Etheve Hemorragjike Krime Kongo.

Prandaj, rekomandon rritjen e shkallës së kujdesit dhe bashkëpunimit me institucionet e të gjitha niveleve për t’u ballafaquar me rastet që mund të shfaqen.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës si institucion referent i Ministrisë së Shëndetësisë po përcjell në mënyrë permanente situatën epidemiologjike në të gjitha vatrat e infeksionit, ku ekipet e epidemiologëve janë në vazhdimësi në terren dhe bashkë me mjekët dhe punëtorët shëndetësor të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, Rahovec, Klinë, Suharekë, Gjakovë, Prizren po vazhdojnë mbikëqyrjen dhe hulumtimin epidemiologjik të të gjitha vatrave, përfshirë këtu edhe vatrat endemike të komunave fqinje: Lipjan, Drenas, Skenderaj, Dragash. 

Ekipet e Institutit Kombëtar janë në terren nga marsi tërë kohën duke koordinuar aktivitetet e parandalimit të EHKK bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjensionin e Ushqimit dhe Veterinës, FSK-në, për t’u përballur me Ethet Hemorragjike Krime-Kongo në të gjitha vatrat e Kosovës.

Duke qenë se asnjë institucion në botë nuk mund të mbuloj tërë territorin me preparate për dezinfektim, sepse sa kanë efekt pozitiv në mbytjen e rriqrave aq dëmtojnë rëndë të gjitha gjallesat e gjalla, njerëzit e bimët dhe tërë ekosistemin edhe sivjet Ministria e Bujqësisë do të bëjë dezinsektimin selektiv ne vatrat me numër të madh të rriqrave kurse Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinës do të bëjë dezinsektimin e kafshëve dhe dezinfektimin e shtallave.

Instituti Kombëtar u bënë thirrje qytetarëve se duhet të punojnë në faktorët e përmirësimit të ekosistemit që nënkupton:

a) të punohen të gjitha tokat e punueshme,
b) të kositen të gjitha livadhet me kohë dhe nga disa herë,
c) të pastrohen kopshtet dhe pronat për rreth shtëpive,
d) të pastrohen fermat ku mbahen bagëtitë dhe të largohen rriqrat nga trupi i kafshëve,
e) të kihet kujdes në veshmbathje për të gjithë fermerët dhe anëtarët e tyre të familjeve që punojnë në fushë ku assesi nuk guxohet të lihen këmbët e zbathura,
f) fëmijët mos të lejohen të luajnë në livadhe e kopshte të pakositura dhe në mbrëmje të kontrollohet prania e rriqrave në tërë trupin.

Sa për ilustrim edhe në mënyrë hipotetike po të digjej e tërë toka e vatrave endemike me EHKK ku do të shkatërroheshin të gjithë njerëzit, kafshët dhe vegjetacioni, rriqrat do të mbijetojnë të vetmet! 

Mirëpo,  po që se ndërmerren masat e sipërpërmendura do të zvogëlohet dukshëm prania e rriqrave dhe do të ndërpritet përhapja e sëmundjes.

Kjo informatë paraqet një pasqyrë reale të masave kundër-epidemike dhe parandaluese që po bën Ministria e Shëndetësisë në luftë me rriqrat për të mbrojtur popullatën e Kosovës nga Sëmundja EHKK.

Këto aktivitete janë të një niveli me të gjitha shtetet e zhvilluara dhe në aspektin profesional të bazuara në rekomandimet e OBSh-së.

Gjithashtu, pasi që aktualisht për shkak të dimrit të butë kanë filluar pickimet që konsiderohen aksidentale sepse rriqrat nuk sulmojnë po qytetarët hyjnë në ciklin e tyre të përhapjes, qytetarët duhet të ndërmarrin këto masa individuale:

1. Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre;

2. Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vishni rroba të gjata;

3. Pantallonat futni në çorapë;

4. Duhet të përdorni preparate me të cila lyhen pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën) që mund t’i gjeni në barnatore;

5. Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër;

6. Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre;

7. Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt;

8. Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe);

9. Pastrimi dhe dezinfektimi i shtallave të bëhet në vazhdimësi;

10. Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë,

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)