27 Prill 2024

KDI: Prokurimi i keq menaxhuar në Shëndetësi

Prishtinë, 15 gusht - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK), ka publikuar Raportin e monitorimit të prokurimit publik për Ministrinë e Shëndetësisë (MSH). Raporti analizon tenderët për furnizim me barna nga lista esenciale e MSH-së.

Merita Mustafa menaxhere e Projektit Transparenca në Prokurimin Publik ka thënë se Ministria e Shëndetësisë, përveç se ballafaqohet me një mungesë dhe kufizim të madh të fondeve për të siguruar shërbime të duhura dhe cilësore për qytetarë, vet buxheti aktual nuk është duke u menaxhuar në mënyrën e duhur.

Të gjeturat e këtij raporti tregojnë se buxheti nuk është shpenzuar me efikasitet, gjë që do t’u mundësonte qytetarëve që të marrin shërbime sa më cilësore me këtë nivel të fondeve që ka në dispozicion kjo ministri.

\"Është e qartë se mungesa e fondeve e ka kufizuar nivelin e shërbimeve, por menaxhimi jo i mirë në këtë sektor, në shumicën e tenderëve të analizuar është gjithashtu një problem i cili duhet të ketë adresim urgjent nga ana e këtij institucioni\", ka thënë Mustafa.

Raporti tregon për një planifikim të dobët të shpenzimeve dhe nevojave të institucioneve shëndetësore, për të cilën ka ndikuar edhe mungesa e bazës së të dhënave në këto institucione.

Mungesa e hulumtimit paraprak të tregut, sipas saj e vë Ministrinë para rrezikut real për fiksim të çmimeve dhe marrëveshje nga ana e bizneseve, me çka buxheti mund të dëmtohet.

Ajo ka theksuar se në anën tjetër monitorimi i prokurimit publik në MSH është i dobët, pasi që aktualisht Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, nuk po kryen rolin e vet në mbikëqyrjen e kësaj Ministrie.

Po ashtu, edhe kontrolli i brendshëm, auditimi i brendshëm në kuadër të Ministrisë sipas KDI-së nuk është sa duhet efikas  dhe ka nevojë të madhe për t’u përmirësuar.

\"Krejt kjo e bënë sistemin e prokurimit publik në këtë sektor të brishtë dhe të rrezikuar në vazhdimësi ndaj dukurive korruptive dhe sidomos keq-menaxhimit sistematik\", theksoi Mustafa.

Të gjeturat kryesore të raportit tregojnë që problemet kryesore në sistemin e prokurimit publik në MSH, paraqiten në fillim të procedurave të prokurimit, atëherë kur edhe bëhet hartimi i kritereve për tender. Subjekt i këtij fenomeni është edhe hartimi i listës esenciale të barnave.

Po që se analizohet vetëm lista esenciale e barnave për të cilën shpenzohen përafërsisht 21 milionë euro, vërehet se tek kjo listë ka tendenca që më shumë të përfaqësohen interesat e grupeve caktuara dhe jo interesat e pacientëve.

Ndërsa sa i përket transparencës e cila është kyçe për të kuptuar menaxhimin e buxhetit, MSH në krahasim me vitin e kaluar ka bërë regres, duke qen më e mbyllur për publikun. Ajo madje ka krijuar procedura burokratike të cilat në masë të madhe kanë penguar qasjen në informata dhe dokumente.

Sa i përket ankesave , në bazë të raportit të OSHP-së të vitit  2012, vetëm pesë ankesa ishin proceduar nga operatorët ekonomik (OE), kur tri prej tyre ishin aprovuar vendimet e autoritetit kontraktues, një ishte kthyer në rivlerësim dhe një kishte përfunduar në ritenderim.

Gjykuar nga numri tejet i vogël i ankesave, vërehet se ka ende një hezitim të bizneseve për të parashtruar ankesa në OSHP, e që mund të lidhet edhe me mungesën e besimit të OE ndaj këtij institucioni.

Ndërsa për sa u përket gjobave, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2013, sanksionimi i operatorëve nga MSH është intensifikuar në krahasim më vitin 2012.

Këtë vit, vetëm në gjashtëmujorin e parë janë gjobitur gjithsejtë 10 operatorë ekonomik me 57,347 euro. Përderisa në vitin 2012 për gjithë vitin ishin gjobitur 18 operatorë me vetëm 38,028 euro.

Përkundër që numri i kompanive të ndëshkuara këtë vit është më i vogël, është shqetësues trendi i rritjes së shumës së dënimeve,  e që kryesisht lidhet me afatet e shkurta të liferimit. 

Në anën tjetër Isuf Zejna hulumtues i projektit, i ka prezantuar rekomandimet e raportit të cilat i drejtohen MSH-së dhe institucioneve të tjera të cilat merren me prokurimin publik:

1. Ministria e Shëndetësisë të përmirësojë planifikimin e prokurimit, me theks të veçantë furnizimin me barna nga lista esenciale, duke krijuar sistem të regjistrimit dhe evidences elektronike të pacientëve;

2. Para hapjes së procedurave të prokurimit, të hulumtohet tregu, për të pas pasqyrim të përafërt lidhur me ofertën që mund të kenë kompanitë për produkte të caktuara dhe për t’u mbrojtur nga fiksimi i çmimeve;

3. Produktet nën patentë, të blihen me procedurën e negocimit të kontratës me prodhuesin apo kur kjo është e pamundur për shkaqe objektive, me distributorët në vendor;

4. Ministria të marr masa ndaj njësive kërkuese të cilat i hartojnë specifikacionet teknike të favor të një operatori ekonomik dhe të cilat ulin konkurrencën në tenderim;


5. KRPP të monitorojë sa më shumë prokurimin në MSH, për të siguruar se kriteret nuk janë

diskriminuese dhe menaxhimi i kontratave është duke u bërë në mënyrën e duhur;
6. Të lejohet qasje e lirë dhe efikase në dokumentet zyrtare të MSH-së, në përputhje me afatet e parapara në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike dhe të lejohet monitorimi i komisioneve për vlerësimin e ofertave për Organizatat e Shoqërisë Civile, për të siguruar se procesi është transparent dhe i drejtë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)