Java e shëndetësisë Kosovaro - Turke fillon me 22 shkurt

Prishtinë, 19 shkurt - Bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Turqisë, nga data 22 Shkurt deri më 28 Shkurt 2016 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), do të mbahet Java e shëndetësisë Kosovaro - Turke.
Hapja e Javës së Shëndetësisë Kosovaro-Turke do të bëhet të hënën duke filluar në orën 9:00, në Sallën e Konferencave të QKUK-së (Klinika e Kirurgjisë).
Gjatë kësaj jave, specialistë të fushave mjekësore nga Turqia do të kryejnë operacione të ndërlikuara për pacientët e Kosovës.
Ekspertët më eminentë nga Turqia që do të vijnë në Kosovë janë nga fusha e kardiologjisë, kardiokirurgjisë së të rriturve dhe fëmijëve, anestezionit dhe mjekimit intensiv, kirurgjisë së fëmijëve, obstetrikës me gjinekologji, kirurgjisë plastike dhe rekonstruktime, urologjisë, kirurgjisë abdominale, oftalmologjisë dhe infermierisë.
Kjo është hera e tretë e një organizimi të tillë, gjatë të cilës, ekspertët mjekësor nga Turqia vijnë në Kosovë për të realizuar operacione të ndërlikuara për pacientët nga Kosova dhe për ta mbështetur shëndetësinë kosovare, krahas ndërhyrjeve, edhe me ligjërata, seminare dhe diskutime profesionale.