29 Prill 2024

Investimet për shëndetin e fëmijëve të pamjaftueshme

Prishtinë, 10 shtator - Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka mbajtur sot më 10 shtator 2014 Tryezën me temën “Leukemia tek fëmijët në Kosovë”, duke nxjerrë si konkludim se investimi i përgjithshëm në shëndetin e fëmijës në Kosovë nuk është i mjaftueshëm.


Leukemia tek fëmijët po vazhdon te jetë një sfidë për shoqërinë kosovare, e në ndërkohë që ekspertët e shëndetësisë pohojnë faktin se pavarësisht ekzistencës së fondit të ndarë nga Ekzekutivi prej 5.5 milionë eurosh për trajtim të fëmijëve me Leukemi jashtë shtetit, nuk ka fonde të parapara për trajtim të kësaj sëmundje në vitet e ardhshme, në kuadër të kornizës afatmesme.

Ky fakt u ngrit në diskutim edhe nga z. Pashk Buzhala, u. d Drejtor i Departamentit të Shëndetësisë në Kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. “Fatmirësisht e kemi fondin 5 . 5 milionë aktualisht, por sa është i mjaftueshëm ky fond pyetem edhe unë”, tha ai gjatë tryezës së organizuar nga KOMF.

Në bazë të diskutimeve të ekipit të KOMF me përfaqësues të sistemit shëndetësor në Kosovë ka dalë se spitalet e Kosovës kanë kushte të pamjaftueshme për trajtimin e leukemisë, nuk kanë kuadro të mjaftuar të specializuar, ilaçe të mjaftueshme apo edhe infrastrukturë ligjore për trajtimin e rasteve.

Në mungesë të një regjistri specifik krahasues për kancerin, (ku mbahen ndër vite të dhënat për pacientin, diagnoza e saktë, mënyra e trajtimit mjekësor) Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur të bëjë plane parandaluese për sëmundjen e kancerit, apo konkretisht leukeminë.

Spitali nuk ka ofruar të dhëna për evaluimin tre vjeçar të sëmundjes së leukemisë, sa është kërkuar me shkrim nga eksperti i shëndetësisë në KOMF. Ndërkohë në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë pasur statistika të specifikuara sa i përket leukemisë, pasi gjitha lëndët deri në vitin 2014, kur është formuar fondi për kancerin janë trajtuar të përbashkëta dhe nuk është trajtuar leukemia si sëmundje e veçantë.
Në ndërkohë që profesionisti shëndetësor dhe institucioni shëndetësor duhet të raportojnë për shërbimet e tyre duke mos cenuar të drejtat e shfrytëzuesve të shërbimeve shëndetësore dhe duke siguruar fshehtësinë profesionale, në pajtim me ligjin.
Nga diskutimet e tryezës dolën si konkluzione se ka: Kushte të pamjaftueshme për trajtimin e leukemisë në Kosovë; Mungesë e stafit të specializuar; Pamjaftueshmëri buxhetore për të siguruar ilaqet; Boshllëqe të infrastrukturës ligjore; Mungesë të statistikave krahasuese; Mungesë të planeve parandaluese; Mungesë të ligjit për transplantime; Mungesë të parametrave se deri në cilën shkallë mund të trajtohet sëmundja në Kosovë; Shpesh herë mungesë besimi nga ana e prindërve; Mungesë të aparaturave adekuate diagnostifikuese; Mungesë të një fondi të qëndrueshëm për trajtim jashtë vendit; Menaxhim i pa-planifikuar (pa analizë buxhetore dhe pa planifikim strategjik) i fondit prej 5. 5 milion Euro; Mungesë e marrëveshjeve specifike mes spitaleve ndërkombëtare dhe MSH; Shpesh herë ngecje të komunikimit ndërinstitucional; Polemika rreth rimbursimit të ilaçeve si dhe mungesë të gjakut për transfuzion.

Trajtimi i fëmijëve me leukemia ka sfida të mëdha. Spitali nuk ka arritur asnjëherë të kryej gjitha analizat e mjaftueshme diagnostike për fëmijët që janë diagnostifikuar apo që duhet diagnostifikuar me leukemia, nuk ka arritur as të siguroj ilaçe të mjaftueshme për pacientët e as plazma të gjakut për pacientët në nevojë. Gjithashtu, krijimi i fondit 5 milionësh ka shtuar presionin për lëshimin e dokumentacioneve për mjekim jashtë Kosovës edhe në raste edhe për pacientët që nuk kanë nevojë.

Si përfundim përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Qendrës klinike Universitare të Kosovës, të Onkologjisë, mjekë si dhe anëtarët e tjerë pjesëmarrës në tryezë u pajtuar që kjo gjendje mund të përmirësohet në rast se merren këto veprime:

1)    Trajnimin specialistik të stafit në fushave të ngushta për të arritur zbatimi i plotë i protokoleve ndërkombëtare për trajtimin e të sëmurëve me  leukemi;


2)    Sigurimi permanent i ilaçeve për trajtimin e të sëmurëve me leukemia;
(Derisa në vitin 2013 për ilaçet kundër kancerit kishte një fond prej 7 milionë euro në këtë vit janë në dispozicion 5 milionë euro më pak. Mosfurnizimi me citostatikë ndikon direkt në shëndetin e këtyre fëmijëve);

3)    Garantimi i buxhetit për trajtimin e të sëmurëve me leukemia.

Në ndërkohë, Dr. Haxhi Avdyli, i cili ishte pjesë e debatit, ka rekomanduar që të hartohet edhe një plan program për përcjelljen psiko-sociale të pacientëve dhe familjarëve pas shërimit nga sëmundja, duke ngritur këtu nevojën e psikologëve në procesin e trajtimit të fëmijëve me leukemi.

Pjesë e debatit të sotëm ishte edhe z. Gazmend Halilaj,prind i një fëmijë të diagnostifikuar me leukemi i cili ka ndarë rrëfimin dhe përjetimet e tij gjatë trajtimit të vajzës së tij që nga koha e diagnistifikimit e deri më sot, duke adresuar një varg kritikash  ndaj sistemit shëndetësor në Kosovë.

Fjalimin e plotë të z. Halilaj si dhe të gjeturat e KOMF i gjeni të bashkëngjitura.




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)