02 Maj 2024

Gjatë vitit 2014 në Kosovë kanë lindur 25 929 fëmijë

Prishtinë, 17 qershor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Lindjeve në Kosovë 2014.

Këto të dhëna tregojnë se gjatë vitit 2014, janë 25 929 lindje të gjalla, kurse 158 janë lindje të vdekura.

Koeficienti i vitalitetit është 3.4 në raport ndërmjet lindjeve të gjalla dhe vdekjeve.

Koeficienti i maskulinitetit është 112.2. Koeficienti i lindjeve të vdekura - vdekjeve fetale në 1000 lindje ishte 6.1 promil. Prej të gjitha lindjeve, 99.8% e tyre kanë ndodhur në institucione mjekësore, ndërsa pjesa tjetër ka ndodhur në vend tjetër.

Numri më i madh i nënave që kanë lindur fëmijë është i grup-moshave 25-29 vjeç, me 35.0%; i grup-moshave 30-34 vjeç, me 24.2%; i grup-moshave 20-24 vjeç, me 23.3%; dhe grup-moshat e tjera përbëjnë 17.5% të numrit të përgjithshëm të lindjeve.

Mosha mesatare e femrave që kanë lindur fëmijë në vitin 2014, është 28.2 vjeç. Kurse, 37.7% e nënave e kanë lindur fëmijën e parë; 32.2% e nënave kanë lindur fëmijën e dytë; dhe 18.8% nënave fëmijën e tretë, e kështu me radhë.

Sipas peshës së fëmijës së lindur, në institucione shëndetësore, numri më i madh i foshnjave është me peshë 3 000-3 499gr. ose 37.1%; 3 500-3 999 gr., 30.8%; 2 500-2 999 gr., 13.9%, etj. Foshnjat e lindura të gjalla, me peshë më të vogël se 1000 gr. përbëjnë vetëm 0.2%.

Për fëmijët e lindur jashtë institucionit mjekësor, sipas metodologjisë së hulumtimit nuk kërkohen të dhënat për peshën e tyre.

Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë nënat me shkollë të mesme me 41.1%, shkollë fillore e kryer me 35.3% , shkollë të lartë dhe fakultet janë 15.3% e nënave, etj. Emri me frekuencë më të madhe (më i shpeshtë) për vitin 2014 për vajza ishte emri Erina 199, Alea 182 etj., ndërsa për djem ishte emri Diar 215, Amar 180 etj. Bineq u lindën 756 foshnje, ndërsa treneq e më shumë  u lindën 36 foshnje.

Të dhënat në këtë publikim janë paraqitur sipas bazës së grumbullimit të të dhënave administrative për vitin 2014 nga Zyrat e Gjendjes Civile, ku janë grumbulluar gjithsej 32 527 fletë statistikore për lindje DEM-1.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)