27 Mars 2023

Fillon punën spitali pediatrik - kirurgjik donacion i Emirateve Arabe

Prishtinë, 28 mars - Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka filluar punën sot spitali pediatrik-kirurgjik që është donacion prej 22 milionë eurove i Emirateve të Bashkuara Arabe për shëndetësinë e Kosovës.

Në zbatim të Planit të veprimit për funksionalizimin e këtij spitali, sot në ditën e parë të funksionalizimit të këtij spitali janë kryer dy operacione të fëmijëve si dhe kanë filluar aty punën ambulanca specialistike për fëmijë, emergjenca pediatrike dhe kirurgjia spcialistike.

Brenda këtij spitali janë funksionalizuar shërbimet e hemato-onkologjisë pediatrike, të kirurgjisë pediatrike dhe shërbimet e mjekësisë interne për fëmijë, ndërkohë që pritet të transferohen edhe neo-onatologjia, shërbimet ortopedike dhe shërbimet e tjera për fëmijë.

Spitali pediatrik –kirurgjik do t’i integrojë shërbimet e emergjencave pediatrike mjekësore; ato të Traumës; shërbimet e Observimit dhe Rikuperimit; shërbimet e ambulancave  specialistike pediatrike dhe kirurgjike; Njësinë e Radiologjisë së fëmijëve; Sallat e operacioneve urgjente dhe të planifikuara; Njësinë e Kirurgjisë Ditore dhe  Endoskopisë së Fëmijëve; Sterilizimin qendror; Mjekimin intensiv të fëmijëve dhe të porsalindurve; Departamentin e Kirurgjisë së fëmijëve dhe Departamentin e Onkologjisë Pediatrike.

Spitali pediatrik –kirurgjik në QKUK pritet të shënojë një kthesë të rëndësishme sa i përket cilësisë së shërbimeve shëndetësore terciare që do t’u ofrohen fëmijëve në Kosovë, ndërsa MSh falënderon edhe me këtë rast Emiratet e Bashkuara Arabe për këtë investim kapital dhe zemërgjerë për fëmijët e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 mars 2023

- Udhëheqës të Komunës së Suharekës bejnë homazhe pranë lapidarit të "Betejës së Semetishtit". (Semetisht, ora 10:00)

 - Udhëheqës të Komunës së Suharekës bejnë homazhe pranë pllakës Përkujtimore në Peqan. (Peqan, ora 10:30)

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë takohet me Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 11:00)  

- Në kuadër të edicionit të 13-të, Java e Frankofonisë përurohet hapësira Franceze 'Metro Station Quatre - Septempre'. (Universiteti Ukshin Hoti në Prizren, ora 11:00)

- Udhëheqës të Komunës së Suharekës bejnë homazhe pranë Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Suharekë. (Suharekë, ora 11:00)

- Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj promovohet libri me titull "Simbol Çlirimtari" kushtuar Heroit të Kombit Milazim Kiqina. (Shtëpia e Fellbahut në Suharekë, ora 12:00)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti mban konferencë për media. (Ndërtesa e BQK-së, ora 15:00)