02 Maj 2024

Farmacistët kosovarë shënuan Ditën Botërore të Farmacistëve

Prishtinë, 25 shtator - Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Agjencionin Kosovar për Produkte dhe Pajisje Mjekësore,  Odën e Farmacistëve, Shoqatën Farmaceutike, Shoqatën e distributorëve farmaceutik dhe prodhuesit vendor, organizuan sot një tryezë, në të cilën u diskutua për politikën nacionale të farmacisë dhe drejtimin që po i jepet farmacisë për vitet 2015 – 2020.

Kjo tryezë u organizua me rastin e Ditës Botërore të Farmacistëve, e cila temë qendrore të këtij viti ka: “Të pasurit qasje te farmacistët është qasje në shëndet“, ndërkohë që Federata Internacionale e Farmacisë, i ka inkurajuar fuqishëm të gjithë farmacistët në tërë globin, që të marrin pjesë në shënimin e Ditës Botërore të Farmacistëve – 25 Shtatorin.

Duke i uruar farmacistët për ditën e tyre, Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se farmacia është një nga shtyllat më të rëndësishme të sektorit shëndetësor, ndërsa të arriturat  në këtë  sektor, në kohët e fundit, kanë krijuar mjedis për një angazhim profesional në të gjitha aspektet dhe kanë dhënë rezultate pozitive.

Ai tha se avancimi i legjislacionit do të vazhdojë më tej, ndërsa si prioritet mbetet nxjerrja e Ligjit për Farmacinë...  Ministri lavdëroi AKPPM-në për punën e saj në vitin e fundit, e vlerësoi si pozitiv faktin e zhvillimit edhe të prodhuesve vendor, ndërkohë që tha se ka ende shumë punë për t’u bërë, me qëllim të kalimit të suksesshëm të tranzicionit në këtë sektor dhe vështirësive që e kanë përcjellë atë.  “Farmacia po i  lë prapa ditët e krizës dhe tranzicionin dhe po shkon në rrugën e duhur”, tha Ministri Agani.

Kryeshefi i AKPPM-së, Arianit Jakupi, njoftoi për hapat e ndërmarrë nga AKPPM në fushën e legjislacionit të ri, ngritjes së kapaciteteve, krijimit të shumë lehtësimeve për sektorin, ndërkohë që tha se e ardhmja e sektori është me sfida dhe kërkon farmacistë që do të jenë në gjendje që me profesionalizëm ta ushtrojnë profesionin e tyre.

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Zehadin Gashi, tha se farmacistët nuk duhen shikuar edhe në të ardhmen si shitës me kulturë, por si profesionistë, të cilët duke ushtruar me humanitet punën e tyre, do t’i ndihmojnë qytetarët në marrjen e shërbimeve, të cilat janë përgjegjës për t’i ofruar farmacistët. Krijimi i Odës së Farmacistëve, tha ai, hap një kaptinë të re, në drejtim të fuqizimit të rolit të farmacistëve dhe marrjen e përgjegjësive nga ana e tyre.

Agim Çaka , kryetar i Shoqatës së Farmacistëve dhe Milaim Abdullahu, kryetar i Shoqatës së Distributorëve, kanë vlerësuar se janë shënuar hapa pozitiv në drejtim të komunikimit dhe përkrahjes nga institucionet për komunitetin farmaceutik,  ndërkohë që, theksuan ata, se  u takon vet farmacistëve që ta shfrytëzojnë hapësirën për fuqizimin e rolit të tyre dhe dhënien e kontributit në ngritjen e sektorit.

Në këtë tryezë kontributet e tyre me diskutime i dhanë edhe farmacistë të tjerë si Lutfi Mulaku, Kadri Bytyqi, Adnan Mustafa, Visar Ademi, Naim Morina, etj., duke adresuar sfida të ndryshme të sektorit, dhe aspekte që kanë të bëjnë me rregullimin e shumë çështjeve me interes në këtë sektor.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)