04 Maj 2024

Dita Botërore e Shëndetësisë u kushtohet Etheve Hemorragjike

Prishtinë, 7 prill - Me qëllim të shënimit të 7 Prillit Ditës Botërore e Shëndetësisë, e cila sivjet në nivel global i është përkushtuar parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve që përhapen përmes vektorëve (bartësve), Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në bashkëpunim me Komunën e Malishevës organizuan sot shënimin e kësaj dite në mënyrë simbolike në Malishevë, duke trajtuar çështjen e Etheve Hemorragjike Krime -Kongo.

Në këtë takim në të cilin morën pjesë zyrtarë të MSH-së, IKSHP-së, spitaleve rajonale, anëtarë të Këshillit Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike, autoritetet lokale të komunave që shquhen me më shumë raste të EHKK dhe të tjerë u theksua fakti që masat më të mira mbrojtëse kundër kësaj sëmundjeve dhe bartësve të saj-rriqrave janë masat e thjeshta dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për t’u mbrojtur nga pickimi i tyre dhe kërkimi i menjëhershëm i ndihmës nga ana e profesionistëve shëndetësor.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani tha se aktivitetet e vitit të fundit për parandalimin dhe luftimin e etheve hemorragjike kanë qenë sistemime dhe të koordinuara, të udhëhequra nga Këshilli Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e EHKK, të formuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Pas disa muajve pune të përbashkët, sot ne kemi në tavolinë Planin operacional për parandalimin dhe luftimin e EHCC, si rezultat të një pune ekipore dhe të koordinuar midis nivelit qendror dhe atij lokal për të ofruar një kualitet të ri të veprimeve”, tha Ministri Agani. 

Ai tha se të gjithë bartësit e veprimeve të këtij plani si MSh, MBPZHR, MAPH, MEF, MPB, MPMS, Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës dhe kuvendet komunale të komunave që janë zona endemike të EHCC, tashmë i kanë marrë përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që  problematikës së etheve hemorragjike t’i jepet një dimension tjetër dhe pasojat të reduktohen apo të eliminohen nga kjo sëmundje, që siç tha Ministri, ende bën që Kosova të jetë në hartën endemike të shteteve që kanë probleme me të.

Në ditën Botërore të Shëndetësisë, Ministri Agani ka folur edhe për reformën shëndetësore, pesë ligjet e miratuara dhe që pritet të miratohen këtyre ditëve si Ligji i Shëndetësisë, Ligji i Odave të Profesionistëve Shëndetësor, Ligji për Kontrollin e Duhanit (të miratuara); Ligji për pajisjet dhe produktet mjekësore dhe Ligji i Sigurimeve Shëndetësore (në pritje të miratimit), që sipas tij, kanë shtruar qartazi rrugën e reformës shëndetësore.

Ragip Begaj, kryetar i Malishevës ka falënderuar MSh-në dhe institucionet e tjera për një përkushtim shumë të theksuar në përgatitjet për ballafaqim me EHCC dhe ka theksuar faktin se në këtë komunë është punuar me qytetarët  në mënyrë që secili të jetë mirë i informuar për rreziqet por edhe masat mbrojtëse.

Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se shënimi i Ditës Botërore të Shëndetësisë në Malishevë shënon rastin e parë që një ditë e tillë shënohet në nivelin lokal në Kosovë, ndërsa ka shprehur zotimin e OBSH-së për t’u asistuar institucioneve kosovare në parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse, në veçanti Etheve Hemorragjike Krime Kongo.

Ai tha se rreth 77 000 evropianë sëmuren çdo vit nga sëmundjet e bartura me vektorë siç janë mushkonjat, rriqrat, mizat gjakpirëse etj,. Ndërsa tri fazat e kontrollit të vektorëve të këtyre sëmundjeve, theksoi Syla,  kanë të bëjnë me kontrollin e vektorëve, parandalimin e sëmundjeve dhe kufizimin e përhapjes.

Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së ka prezantuar të gjitha aktivitetet që janë ndërmarrë në Këshillin Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e EHKK dhe aspekte të planit operacional, ndërsa Isuf Dedushaj (IKSHP), ka prezantuar aspekte që lidhen me mbrojtjen e drejtpërdrejt të qytetarëve nga bartësit e sëmundjes dhe mënyrat e shmangies së tyre.

Për hapjen e Qendrës operative të emergjencave në Malishevë, ka folur zëvendësministri i MPB, Ismet Ibishi, derisa pjesëmarrës të tjerë në takim, kanë diskutuar për përvojat dhe mënyrat se si mund të kontribuohet në parandalimin dhe luftimin e EHKK.

Dita Botërore e Shëndetësisë  shënohet çdo vjet më 7 prill për të shënuar kështu përvjetorin e themelimit të OBSh-së në vitin 1948,
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)