29 Prill 2024

Deputetet mblodhën paratë për aparatin e mamografisë

Prishtinë, 25 shkurt - I iniciuar në fund të vitit 2012, nga Grupi i Grave Deputete, projekti për blerjen e aparatit mobil të mamografisë, është drejt finalizimit.

Menaxherja e këtij projekti, deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi thotë se janë kryer të gjitha procedurat për blerjen e këtij aparati dhe brenda disa ditësh do të bëhet publike.

Një aparat i tillë kushton rreth 200 mijë euro, ndërsa sipas deputetes Kadaj-Bujupi, tashmë është mbledhur shuma e domosdoshme. Në këtë fond, me shuma simbolike kanë kontribuuar edhe grupet parlamentare dhe deputetët.
 
Megjithëse është nismë e deputetëve, që për nga të ardhurat nuk qëndrojnë keq, për nga shuma e dhënë për blerjen e aparatit të mamografisë, nuk prinë Kuvendi i Kosovës, por Ambasada e Norvegjisë në Kosovë.

Menaxherja e projektit, Donika Kadaj-Bujupi thotë se të gjitha grupet parlamentare kanë kontribuuar, por nuk jep as numër të deputetëve që kanë kontribuuar, e as shifër të parave të mbledhura nga deputetët.

“Sa kam informatë dhe përderisa kemi parë listën, shuma është përmbyllur, mjafton ajo shumë, është blerë aparati dhe kanë kontribuuar të gjitha partitë e mëdha në Kuvend, përmes grupeve të tyre parlamentare”, tha Kadaj-Bujupi për Radio Kosovën.

Grupi Parlamentar i PDK-së për blerjen e aparatit të mamografisë ka kontribuuar me 2 mijë euro, ai i LDK-së ka kontribuuar me 1 mijë e 500 euro, Vetëvendosje e AAK me nga 700 euro, ndërsa anëtarët e Kryesisë së Kuvendit me 2 mijë euro.

Në këtë fond kanë kontribuuar edhe institucionet tjera, ndërsa deputetët kanë kontribuuar edhe individualisht. Suzan Novobërdali nuk bën të ditur sa ka kontribuuar Grupi Parlamentar i Koalicionit për Kosovë të Re, por flet vetëm për vete.

“Unë e kam dhënë shumën 100 euro. Mirëpo ajo ka qenë maksimumi i shumës. E di që kam qenë një ndër të parat, kanë qenë edhe 3-4 deputete që kanë paguar. Ka pas edhe shuma të ulëta, por shuma maksimale ka qenë 100 euro”, tha Novobërdali për Radio Kosovën.

Sidoqoftë, tashmë shuma e nevojshme prej rreth 200 mijë euro për blerjen e aparatit të mamografisë, është mbledhur, por gjithsesi, Kadaj-Bujupi flet për gatishmëri të deputetëve për të ndihmuar.

“Duke e parë gatishmërinë edhe të deputetëve edhe të organizatave tjera, po të ishte mangut sigurisht se për aq sa do të mungonin mjetet do të jepeshin edhe nga individët edhe nga deputetët, edhe nga zyrtarët tjerë, edhe nga organizatat”, tha ajo.

/Radio Kosova/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)