28 Prill 2024

Banka Botërore përkrahë reformat shëndetësore në Kosovë

Uashington, 14 maj - Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv i Bankës Botërore ka miratuar sot një Projekt Shëndetësor për Kosovën në vlerë prej 25.5 milionë dollarë amerikan për të përmirësuar mbrojtjen financiare të të varfërve nga shpenzimet shëndetësore dhe cilësinë e kujdesit për shëndetin primar të nënave dhe fëmijëve si dhe shërbimeve për sëmundjet jongjitëse në Kosovë.             

“Kosova ka disa nga rezultatet më të dobëta shëndetësore në Evropë” tha Ellen Goldstein, Drejtoreshë e Vendit dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore e Bankës Botërore. “Banka Botërore është e gëzuar që ka mundësinë të kontribuojë në përpjekjet për të ndryshuar këtë gjendje”.                                           

Jetëgjatësia e pritur pas lindjes në Kosovë është 70.2 vite, që është 10 vite më e ulët sesa mesatarja e Bashkimit Evropian (BE) e cila qëndron në 80.2 vite. Shpenzimet totale shëndetësore dhe pjesa e buxhetit të Qeverisë së Kosovës që ndahet për shëndetësi janë relativisht të ulëta në krahasim me rajonin dhe BPV-në për kokë banori, që tregon se ka nevojë për rritje të shpenzimit publik për shëndetësinë. Shpenzimet nga xhepi i qytetarit janë të larta dhe kontribuojnë në varfërim, pjesërisht si rezultat i shpenzimeve të kufizuara publike në shëndetësi.                                                                 

Projekti do të përkrahë strategjinë dhe agjendën e Qeverisë për reformimin e sektorit shëndetësor. Reforma e iniciuar për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor ka potencial të transformimit të sektorit shëndetësor të Kosovës duke rritur të hyrat për sektorin shëndetësor dhe paraqet një mundësi që të përmirësohet edhe cilësia e kujdesit edhe efikasiteti në shfrytëzimin e resurseve të kufizuara. 

Projekti i miratuar do të përkrahë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e ardhshëm të Sigurimeve Shëndetësore për fillimin dhe zbatimin e sigurimeve shëndetësore dhe reformave të tjera për të përmirësuar kualitetin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor primar. Për të përmirësuar kualitetin e shërbimeve, projekti do të financojë, ndërmjet tjerash, investimet në pajisjet e shëndetit prioritar të nënave dhe fëmijëve për institucionet e kujdesit primar dhe spitalet.

Po ashtu do të financojë edhe një Kornizë për Zhvillim të E-shëndetësisë (shëndetësisë elektronike) dhe sistemet për analizimin e të dhënave dhe raportim ashtu që analizat e të dhënave të sektorit shëndetësor të jenë në dispozicion dhe në kohë për vendimmarrje dhe mbikëqyrje në Kosovë.

Të varfrit në Kosovë do të jenë grup specifik përfitues nga projekti pasi që të varfrit do të lirohen nga kontributet e sigurimit shëndetësor si dhe nga ndarja e kostos për kujdes shëndetësor ose barna që mbulohen me legjislacionin e ri. Komunat, institucionet shëndetësore dhe punëtorët e këtyre institucioneve po ashtu do të përfitojnë nga përkrahja për ngritje të kapaciteteve dhe përkrahja tjetër e ofruar nga ky projekt.               

Projekti do të zbatohet brenda një periudhe pesë vjeçare. Ministria e Shëndetësisë e Kosovës do të jetë përgjegjëse për zbatimin teknik të projektit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)