02 Maj 2024

Agani: Me sigurime shëndetësore do të mbulohen të gjithë qytetarët e vendit

Prishtinë, 27 prill - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Ferid Agani, tha sot se Ligji i Sigurimeve Shëndetësore, paraqet një moment të ndryshimit cilësor në sistemin shëndetësor të Kosovës dhe fillimi i zbatimit të tij do të jetë i shumë pritur për qytetarët e vendit.

Në një konferencë për media, Ministri Agani, me bashkëpunëtorë, kanë shpjeguar ndryshimet që ky ligj do t’i sjell për sistemin shëndetësor të vendit, duke filluar nga sigurimi i një financimi shumë më të mirë për shëndetësinë, konsolidimin e sistemit shëndetësor, mbulim me shërbime shëndetësore më cilësore për qytetarët dhe kthimin e besimit tek institucionet shëndetësore dhe profesionistët e vendit.

Ministri vlerësoi se zbatimi i Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore e sjell shëndetësinë e vendit në një pikë kthese, me që, përmes këtij ligji, sistemi shëndetësor do ta rris financimin e tij për 60 për qind, ndërsa me rreth 81 milionë euro më shumë në buxhetin e saj, të planifikuara të mblidhen që në vitin e parë të implementimit të sigurimeve, MSh dhe institucionet shëndetësore të vendit, do të jenë në gjendje t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve për shërbime shëndetësore.

“Me LSSH, themelohet Fondi i Sigurimeve, i cili do të ju mundësoj qytetarëve marrjen e shërbimeve shëndetësore më cilësore të kontraktuara si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, e kur kjo nuk ka mundësi të bëhet në raste të caktuara në vend, edhe jashtë vendit”, tha Ministri Agani. Ky ligj, tha ai, do të mbulojë tërë qytetarët e vendit.

Sa u përket të drejtave dhe obligimeve që dalin nga ky ligj, Ministri Agani shpjegoi se në tre vitet e para të zbatimit të sigurimeve, të punësuarit në sektorin publik do të paguajnë në muaj nga 3.5% të të ardhurave të tyre bruto për sigurimin shëndetësor të obliguar, dhe po kaq, për të do të paguajë edhe punëdhënësi.

Pra, 3.5% punëmarrësi dhe 3.5% punëmarrësi , apo 7% së bashku të të ardhurave bruto. E njëjta gjë do të vlejë edhe për sektorin privat -publiko privat (në kompanitë apo organizatat private ku qarkullimi vjetor është mbi 50 000 euro), ku punëdhënësi dhe punëmarrësi do të paguajnë nga 3.5% të vlerës së pagës për sigurimin shëndetësor të obliguar.

Në ato kompani apo organizata private, ku qarkullimi vjetor nuk arrin mbi 50 mijë euro, për sigurim shëndetësor do të paguajë vetëm punëmarrësi, në vlerë prej 2 eurove për anëtar të familjes.

Mjetet e mbledhura nga pagesa e këtyre premiumeve do të grumbullohen mjetet në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, i cili për të mbuluar listën e shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, përveç buxhetit të rregull të shëndetësisë që ndahet çdo vit, do të ketë në dispozicion pra edhe mjetet e mbledhura nga kontributet, që do të thotë se Fondi apo sigurimet do të financohen në mënyrë të kombinuar: nga buxheti i rregullt në dispozicion dhe kontributet që do të mblidhen.

Ministri Agani shpjegoi se nga pagesa e kontributeve do të lirohen 384.379 qytetarë që bëjnë pjesë në kategoritë sociale dhe kategoritë e tjera të liruara nga kontributet dhe që shërbimet do t’i marrin falas.

Dr. Arsim Qavdarbasha, kryeshef i Agjensionit të Financimit të Shëndetësisë (AFSH) në MSh, , tha se Ligji i Sigurimeve shëndetësore është i ndërtuar edhe mbi disa parime themelore siç janë transparenca, qëndrueshmëria, llogaridhënia, universaliteti, solidariteti, reciprociteti, etj, dhe kategori të popullatës do të jenë të liruara nga pagesa e premiumeve shëndetësore, ndërsa do të gëzojnë sigurim shëndetësor të obliguar.

Ai numëroi edhe disa aktivitete që janë duke u ndërmarrë në kuadër të përgatitjeve për zbatimin e ligjit siç janë: si zgjedhja e koordinatorit të Njësisë për projektin e Bankës Botërore në përkrahje të zbatimit të ligjit, zhvillimi i termave të referencës për Fondin e ardhshëm të sigurimeve shëndetësore; hartimin e çmimores së shërbimeve shëndetësore, verifikimin e pakove të shërbimeve shëndetësore spitalore dhe jashtë spitalore sipas DRG sistemit, etj.

 Sipas Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore, të miratuar më 10 prill 2014 në Kuvendin e Kosovës, sigurimet shëndetësore organizohen dhe zbatohen si sigurime shëndetësore të obligueshme dhe  sigurime shëndetësore vullnetare.
Sigurimi shëndetësor i obligueshëm është e  drejtë dhe detyrim për të gjithë qytetarët dhe banorët e Republikës së Kosovës  dhe ky sigurim përfshin shërbimet e kujdesit shëndetësor themelor sipas listës së shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor të cilën e bën Agjensioni i Financimit të Shëndetësisë (AFSH) në kuadër të MSH-së që është paraardhës i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.  Ky lloj i sigurimeve do të ofrohet vetëm nga Fondi.

Ndërsa, qytetarët dhe banorët e Republikës së Kosovës, punonjësit e huaj në Republikën e  Kosovës, si dhe të gjithë të tjerët, kanë të drejtë të kenë sigurim shëndetësor vullnetar  plotësues, që  realizohet nëpërmjet kontratës individuale në  mes të siguruarit vullnetar ose përfaqësuesit të tij të emëruar ligjor, dhe kompanisë private të sigurimeve shëndetësore,  në pajtim me ligjin.

Qytetarët do ta kenë numrin e sigurimit shëndetësor që do të jetë i njëjtë me numrin personal.

Në këtë konferencë, u tha gjithashtu, se MSh pret që fillimi i mbledhjes së kontributeve në Fondin e Sigurimeve të fillojë në janar 2015, ndërsa Ligji i Sigurimeve Shëndetësore është moment kthese në reformën e sistemit shëndetësor, e filluar edhe me miratimin dhe zbatimin edhe të disa ligjeve të tjera sistemime si Ligji i Shëndetësisë, Ligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësor, Ligji për Pajisje dhe Produkte Mjekësore dhe Ligji për Kontrollin e Duhanit.



Cilat janë kategoritë e liruara nga pagesa për sigurime shëndetësore

Këto kategori janë: Familjet e varfra nën asistencë sociale -të gjithë anëtarët e familjes; të burgosurit të cilët janë dënuar;  Individët të cilët janë duke jetuar në institucione shtetërore -fëmijët nën kujdes të sforcuar dhe nën kujdestari; të moshuarit  dhe personat me aftësi të kufizuara të  strehuar në shtëpitë për persona të moshuar si dhe në shtëpitë për integrim në  komunitet;

Personat e ri-atdhesuar bazuar në marrëveshjet bilaterale të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera, në vitin e parë pas ri-atdhesimit; Invalidët e luftës me shkallë të lartë të  pa-aftësisë -bashkëshortja dhe fëmijët e tyre  nën 18 vjet në pajtim me pragun zyrtar të  pa-aftësisë minimale prej 60 për qind; Pensionistët e moshës dhe ata kontribut-dhënës;

Pensionistët e kompanisë “Trepça”; Pensionistët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së  Kosovës; Familjet e martirëve (prindërit, burri/gruaja dhe fëmijët e tyre); Veteranët dhe pjesëtarët e luftës si dhe  bashkëshortja/i dhe fëmijët e tyre; Ish të burgosurit politik si dhe  bashkëshortja/i dhe fëmijët e tyre; Anëtarët e ngushtë të familjeve të  viktimave civile të luftës;

Viktimat e trafikimit gjatë vitit të parë  pas regjistrimit zyrtar, në pajtim me ligjin; Banorët e përhershëm të vendbanimeve joformale në Kosovë të cilët nuk janë të regjistruar ose të cilët janë në  proces të regjistrimit deri në fund të  procesit të regjistrimit, ose deri në një (1) vit pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji, çfarëdo  realizohet e para;

Viktimat e dhunës në familje gjatë vitit të parë pas regjistrimit zyrtar në  Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në pajtim me ligjin.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)