23 Prill 2024

Zgjedhjet për kryetarë të komuave në veri pritet të mbahen më 18 dhjetor

Prishtinë, 14 nëntor - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se sipas të gjitha gjasave data për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë të komuave në veri, do të jetë 18 dhjetori.

Këto deklarata Osmani i bëri pas takimit me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës.

“Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët serbë të Kosovës se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është detyrim kushtetues që ka lindur nga akti i dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave. Assesi nuk është çështje dëshire apo vendim që mund të ndryshohet, sepse nuk ka rrugë tjetër”, theksoi Osmani.

Ajo tha se do t’u drejtohet me kërkesë të gjithë partnerëve ndërkombëtarë “për monitorim të zgjedhjeve dhe pjesëmarrje sa më të madhe ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor”.

Osmani tha gjithashtu se duhet të bëhen përgatitjet e nevojshme edhe me institucionet e sigurisë "që procesi i fushatës zgjedhore, e më pas dita e zgjedhjeve të shkojnë qetë dhe pa tensione”.

Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Vetëvendosjes, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe partive tjera minoritare në Kosovë.

Ndërsa prezent nuk kanë qenë përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe.

Katër komunat e banuara me shumicë serbe - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan - janë pa kryetarë qysh më 5 nëntor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)