28 Prill 2024

Vihet gurthemeli i Pallatit të Drejtësisë

Prishtinë, 23 qershor - Në Hajvali u përurua vënia e gurthemelit të Pallatit të Drejtësisë, ndërsa me këtë rast u tha se besimi i qytetarëve në institucionet e vendit varet shumë nga sistemi i drejtësisë, nga puna e prokurorëve, gjyqtarëve, profesionalizimi etj.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i Prishtinës Isa Mustafa, përfaqësues nga Komisioni Evropian etj.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e cilësoi këtë si një vepër mjaft të rëndësishme për sundimin e ligjit në vend.

“Besimi i qytetarëve në institucionet e vendit varet shumë nga sistemi i drejtësisë, nga puna e prokurorëve dhe gjyqtarëve, nga profesionalizimi, përkushtimi, ndershmëria, nga puna e pakompromis e tyre, që janë në shërbim vetëm të drejtësisë dhe që zbatojnë vetëm ligjin, në secilin rast dhe ndaj secilit”, tha Jahjaga.

Sipas saj, reformat e sistemit të drejtësisë në Kosovë janë në funksion të përafrimit me normat dhe standardet e vendeve të Bashkimit Evropian, duke qenë një nga punët më të ndjeshme në periudhën e tranzicionit dhe të shtetndërtimit.

“Pallati i Drejtësisë edhe në Republikën e Kosovës do të jetë në funksion të qytetarëve dhe për qytetarët, në sintagmën që askush nuk është mbi ligjin dhe që institucionet funksionimin dhe besimin e mbështesin në zbatimin e plotë të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë”, u shpreh presidentja.

Kryeministri Thaçi tha se ky është projekti më i madh i qeverisë së tij në fushën e gjyqësorit, ndërsa paralajmëroi se së shpejti do të fillojë edhe projekti për ndërtimin e Pallatit presidencial.


Vënia e këtij gurë-themeli për Pallatin e Drejtësisë sipas tij tregon rrugëtimin e  pandalshëm të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj drejt fuqizimit të sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, institucioneve të saj demokratike dhe rrugën e saj të pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

"Ndërtimi i këtij objekti modern, me bashkëfinancim nga Komisioni Evropian, është dëshmi e partneritetit të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, dëshmi se Kosova po punon me përkushtim të plotë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian", ka theskuar Thaqi.

Vendosja e institucioneve të drejtësisë në këtë objekt modern, sipas tij do ta lehtësojë punën e këtyre institucioneve, do të mundësojë qasje më profesionale në punën e tyre dhe do të krijojë parakushte për funksionimin më të mirë të tërë sistemit  të drejtësisë në Kosovë.

Pallati i Drejtësisë është investim i përbashkët i Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës. Kostoja e ndërtimit është rreth 30 milionë euro, ndërsa punimet janë paraparë te përfundojnë brenda dy vitesh.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)