27 Prill 2024

Vetëvendosje: Qeveria të japë dorëheqje të menjëhershme

Prishtinë, 12 shtator - Në mbledhjen e tij të dytë të mbajtur më 10 shtator të vitit 2011, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka marrë qëndrim që për shkak të situatës së rëndë politike dhe ekonomike në vend, të krijuar drejtpërdrejt nga politikat e gabuara, joligjore, të padrejta të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të kërkojë dorëheqjen e menjëhershme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe organizimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme.  


Çdo ditë që kjo qeveri qëndron në pushtet, qytetarët e Kosovës humbin pjesë nga pavarësia e shtetit, humbin pjesë të pasurisë publike të Kosovës, humbin pjesë të buxhetit të Kosovës dhe humbin pjesë të territorit të shtetit tonë.  Çdo orë që kjo qeveri qëndron në pushtet, qytetarët humbin gjasat që një ditë Kosova të bëhet shtet normal, sovran dhe i zhvilluar ekonomikisht.  Këtë qëndrim Këshilli i Përgjithshëm e ka marrë duke analizuar situatën e muajve të fundit dhe parashikimet për zhvillimet politike në të ardhmen siç vijon më poshtë. 


1.    Gjatë muajve të kaluar, Qeveria e Kosovës ka hyrë në bisedime pa kushte për Serbinë, ku edhe ka pranuar koncesionet që në disa mënyra e reduktojnë shtetësinë e Kosovës, e zvogëlojnë perspektivën për sovranitet dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.  Me marrëveshjet për kopjet e kadastrës dhe kopjet e librave të amzës, me tabelat dhe vulat e dyfishta, dhe me kompromiset e reja që po priten, Qeveria e Kosovës po krijon realitet të ri për të krijuar një entitet të veçantë brenda shtetit të Kosovës.  Për këto marrëveshje, Qeveria e Kosovës nuk e ka kërkuar fare aprovimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me këtë, Qeveria e Kosovës e ka dobësuar edhe më tej pavarësinë e Republikës së Kosovës, si dhe ka zvogëlzuar gjasat për ta realizuar ndonjëherë sovranitetin dhe integritetin territorial. 


2.    Me intervenimin në veri dhe zmbrapsjen e menjëhershme, Qeveria e Kosovës ju ka dërguar sinjal të qartë strukturave ilegale në veri të Kosovës që Qeveria e Kosovës nuk është në gjendje t’ju kundërvihet këtyre strukturave edhe kur rrezikohet vendi dhe siguria e qytetarëve dhe e policëve të këtij vendi.  Për disa ditë në veri të Kosovës përfaqësuesit e Republikës së Serbisë kanë hyrë e kanë dalur si kanë dashur e kur kanë dashur. Ata kanë ngritur barrikada e kanë bllokuar rrugë, kanë sulmuar policët e Kosovës me armë zjarri dhe kanë negociuar me KFOR-in. Qeveria e Kosovës, duke mos qenë as serioze dhe as e sinqertë, ka kontribuar në sajimin e përshtypjes së gabuar te qytetarët se strukturat e Serbisë e kontrollojnë këtë territor të Republikës sonë pa pasur mundësi reale që të jetë ndryshe. Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës i ka gënjyer disa herë qytetarët e Kosovës për prezencën e doganierëve dhe forcave speciale në pikat kufitare 1 dhe 31.  


3.    Përkundër obligimeve ligjore, Qeveria e Kosovës e ka neglizhuar dhe e ka injoruar organin më të lartë ligjvënës në vend, Kuvendin e Kosovës, duke e shpërfillur deri në maksimum në të gjitha kërkesat e tij.  Koalicioni qeverisës dhe Qeveria:

a.    Kanë shkelur ligjin dhe Kushtetutën gjatë zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës


b.    Kanë kontrabanduar privatizimin e PTK-së në ligjin për buxhetin


c.    Kanë gënjyer qytetarët për raportin me FMN-në dhe humbjen e 170 milionë eurove në të hyra sivjet


d.    Kanë gënjyer deputetët dhe qytetarët mbi çmimet dhe dispozitat e kontratës me konsorciumin Bechtel-Enka


e.    Kanë gënjyer veteranët e luftës për beneficionet në ligjin e propozuar 


f.    Kanë ushtruar presion të paparë në deputetë, dhe kanë shtrembëruar rregullat e demokracisë gjatë kalimit të Ligjit për Hoçën e Madhe


g.    Po shkelin parimet e demokracisë duke kthyer në Kuvend ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit pak ditë pasi është refuzuar në parim nga Kuvendi i Kosovës dhe është kundërshtuar nga Kuvendi Komunal i Prizrenit.


4.    Dokumentet e zbuluara të qeverisë amerikane tregojnë për takime të Kryeminsitrit me përfaqësuesit më të lartë të shtetit serb pa dijeninë e qytetarëve të Kosovës, dhe pa raportuar në Kuvendin e Kosovës për këto takime.   Këto takime kanë ndodhur edhe gjatë kohës kur partia në pushtet ka qenë në opozitë.


5.    Qeveria e Kosovës e ka rrezikuar stabilitetin fiskal të vendit duke rritur në mënyrë të pakontrolluar shpenzimet dhe duke mos siguruar të hyrat. Kjo tani e sjell vendin në fund të vitit para një krize të paparashikueshme që do të na përcjellë vite me radhë.


6.    Qeveria e Kosovës, përmes kontratave me konzorciume ndërkombëtare, e ka dëmtuar rëndë buxhetin e Kosovës dhe interesin e qytetarëve të Kosovës.  Kontrata e fshehur nga Qeveria, dhe më pastaj e zbuluar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, tregon për çmime të trefishta që po i paguan qytetari i Kosovës për të ndërtuar rrugën e kombit.  Një qeveri e përgjegjshme është për ndërtimin e rrugës së kombit por jo për keqpërdorimet në emër të saj. 


7.    Kjo Qeveri ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura dhe proces të manipuluar, që është dokumentuar me raste të shumta që përfshijnë por nuk kufizohen në vjedhje, kërcënime, blerje votash etj.  Prandaj, kjo qeveri është pa legjitimet demokratik.  


8.    Po ashtu, Qeveri e Kosovës nuk e ka përkrahjen e shumicës popullore në Kosovë, sepse aprovimi i saj është bërë vetëm me votat e rezervuara në Kuvendin e Kosovës.

Edhe më me rëndësi se kaq, kjo Qeveri:


1.    Po bëhet gati për të pranuar koncesione edhe më të mëdha me Serbinë që po e sjellin Kosovën para një akti të kryer për ta pranuar një entitet të veçantë të Serbisë brenda Kosovës, e që do ta bëjë shtetin e Kosovës jofunksional, të ndarë, dhe drejt një mjerimi edhe më të madh politik e ekonomik. Në dyzet ditët e fundit, prodhuesit vendorë i kanë pasur ditët më të mira të zhvillimit të prodhimtarisë, kualitetit dhe rritjes së punësimit për shkak të masave të reciprocitetit.  Ende pa ju gëzuar mirë rritjes, Qeveria e Kosovës ka vendosur t’ia hap tregun tonë prodhuesve të Serbisë, përdersia Serbia nuk e bën asnjë hap në obligimet morale, ligjore, politike dhe ekonomike që ia ka Kosovës.  Në vend se Serbia ta njohë Republikën e Kosovës, në vend se t’ia paguajë dëmet e luftës, në vend se t’i kthejë të pagjeturit në vend se t’i përmbush edhe dhjetëra obligime të tjera, me ndihmën e Qeverisë së Kosovës, pas 16 shtatorit, ajo do të vazhdojë të merr më shumë se 400 milionë euro në vit nga ekonomia kosovare, ndërsa prodhuesit kosovarë do ti kthehen realitetit të gjunjëzimit, borxheve dhe diskriminimit nga pushteti.


2.    Po bëhet gati për ta shitur gjithë pasurinë e Kosovës, për të shpëtuar individët e caktuar nga përndjekja dhe largimi nga skena politike.  Në mënyrë të përshpejtuar, Qeveria e Kosovës po merr vendime për t’i shitur Postën dhe Telekomin e Kosovës, gjigantin metalurgjik Trepça dhe pasuritë nëntokësorë për prodhimin e energjisë elektrike. Kjo gjë, përfundimisht, qytetarët e Republikës së Kosovës do ti bëjë spektatorë në shfrytëzimin e pasurisë së tyre, ndërsa qeveritarët pasanikë në oborrin e tyre. 


3.    Po bëhet gati për ta vjedhur edhe më shumë buxhetin e Kosovës me procese të dyshimta të privatizimeve, si dhe me tendere megalomane me çmime të trefishta për të blerë edhe disa muaj në pushtet, p.sh. përmes përgatitjeve në rastin e autostradës Prishtinë–Shkup.
Për këto arsye, Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ta ndalur rrjedhjen e pavarësisë së shtetit dhe të pasurisë së qytetarëve, kërkon shpalljen e menjëhershme të zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)