28 Prill 2024

Vetëvendosje i përgjigjet Gjykatës Kushtetuese për imunitetin

Prishtinë, 9 shtator - Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosjes!, pas kërkesës së hartuar dhe të dorëzuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me imunitetin e deputetëve, dhe sipas nenit 22.2 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, jep këtë:

                                                  Përgjigje

I nderuari Kryetar Hasani

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje! konsideron se çështja e imunitetit të deputetëve dhe e shtrirjes së këtij imuniteti në kohë dhe hapësirë, është mjaft mirë dhe qartë e rregulluar me dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi.

Neni 75 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës thekson se “Deputetët e Kuvendit gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet e tyre brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si deputetë të Kuvendit.”

“Imuniteti nuk pengon ndjekjen penale te deputetëve të Kuvendit për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si deputetë të Kuvendit”; kurse, në paragrafin 2 i njëjti nen e ndalon arrestimin dhe ndalimin e deputetit të Kuvendit përderisa ajo/ai është duke i kryer detyrat e saj/tij si deputet i Kuvendit, pa pëlqimin  e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje! konsideron se esenca e kuptimit të këtij neni  konsiston ne atë se deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk mund të jenë objekt i ndjekjes penale ose padive civile për shkak të shprehjes së lirë të mendimeve pavarësisht formës dhe, po ashtu, kjo normë kushtetuese u garanton atyre të drejtën që lirisht të votojnë apo mos të votojnë për çdo vendim që merret në Kuvend.

Mirëpo, për të gjitha veprimet e tjera të kryera jashtë fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre si deputet, këto dispozita kushtetuese nuk e pengojnë ndjekjen penale nga organet kompetente.

Si rrjedhojë e kësaj, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! konsideron se imuniteti nuk mund të shërbejë si  mburojë për ata deputetë që kanë kryer veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionit dhe vepra tjera që dëmtojnë rëndë pasurinë dhe shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Qëllimi i imunitetit të deputetit, sipas mendimit tonë, por edhe sipas praktikave demokratike, është parandalimi i pushtetit arbitrar përmbi deputetin, lirimi i deputetit nga shtrëngesat e mundshme politike dhe, mbi të gjitha, garantimi i hapësirës së domosdoshme politike të deputetit për ta kryer punën e tij të përfaqësimit të interesave dhe vullnetit të qytetarëve, pa qenë objekt i trysnisë politiko-juridike gjatë këtij përfaqësimi.

Për më tepër, rendi republikan, çfarë duhet të jetë Kosova, duhet ta garantojë dhe mirëmbajë ndarjen e qartë të pushteteve, duke ia garantuar secilit prej tyre autonominë e mjaftueshme për ushtrim të funksioneve institucionale. Imuniteti i deputetëve është qenësor në autonominë e Kuvendit të Republikës dhe shih për këtë është qenësor për rendin republikan.

Prandaj, imuniteti i deputetëve nuk guxon të reduktohet kolektivisht, por për të duhet të vendoset nga Kuvendi në baza individuale, ashtu siç e parasheh procedura e sanksionuar me Nenin 9 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetëve, e cila nuk bartë kurrfarë ambiguiteti as juridik e as praktik.

Imuniteti i deputetit është i lidhur kryekëput me mandatin e saj/tij. Rrjedhimisht, është ky mandat popullor i deputetit ai që e bën deputetin të jetë i tillë gjatë tërë kohës sa shërben në këtë post politik.

Nuk ka kurrfarë logjike juridike e as politike që deputeti të trajtohet sikur i punësuar me orar të saktë të punës, sepse atëherë posti si i tillë e humb thelbin kuptimësor politik i cili e kushtëzon deputetin të jetë në shërbim të qytetarëve sa herë dhe kudo që ky shërbim kërkohet. Pra, mandati i deputetit nuk mund të kufizohet në kohë dhe hapësirë, gjë që e bën imunitetin e deputetit të pakufizueshëm në kohë dhe hapësirë.

Mirëpo, është shumë e qartë se imuniteti i deputetit është i shkurtuar në fushëveprim karshi rasteve për të cilat ajo/ai dyshohet dhe përndiqet. Ligjet e aplikueshme në Kosovë krijojnë hapësirë të mjaftueshme për trajtimin e rasteve të tilla.

Neni 9 i Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetëve thotë se “Përjashtimisht nga paragrafi 2 i këtij neni, masa e paraburgimit mund të ndërmerret ndaj deputetit pa pëlqimin paraprak të Kuvendit, në rastin kur ai ose ajo kapet në kryerje e sipër (in flagranti) të një vepre të rëndë penale, që është e dënueshme me pesë (5) ose më shumë vjetë burgim”.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës në Nenin 281 të tij thekson se “Gjykata mund të caktojë paraburgimin...”, kurse në nenin 210  të po këtij Kodi  thuhet  “Kur një person kapet në flagrancë gjatë kryerjes së veprës penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, ose është në ndjekje për veprën e kryer penale, policia ose çdo person tjetër është i autorizuar ta arrestojë atë përkohësisht edhe pa urdhër të gjykatës”.

Gjithashtu, edhe Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës në nenin 22, 23 dhe 24  rregullon në tërësi imunitetin e deputetëve. Andaj, në nenin 22 paragrafi 2 thuhet “Deputeti gëzon imunitet për deklarimet gojore ose të shkruara,si dhe për veprimet  e tjera ,të kryera në cilësinë e deputetit të Kuvendit”. Tutje, në paragrafin 3, thuhet se, “Deputeti gëzon imunitet ndaj masave të ndalimi, të arrestit, të ndjekjes penale, përderisa Kuvendi nuk merr vendim për heqjen e Imunitetit të tij”.

Natyrisht, te paragrafi 3 fjala “ndjekja penale” mund të  konsiderohet në kundërshtim me nenin 75 par. 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për faktin se imuniteti nuk pengon ndjekjen penale për veprime të ndërmarra jashtë fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre si deputetë të Kuvendit.

Përfundimisht, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! konsideron se pavarësisht peshës së veprës penale të kryer nga deputetët, imuniteti i deputetit mund të hiqet vetëm pas respektimit në përpikëri të procedurave të parapara në aktet e sipërcituara dhe pas votimit nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.


Me respekt,

Visar Ymeri,

Kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)