27 Prill 2024

Vetëvendosje e quan Isa Mustafën komunist

Prishtinë, 14 nëntor - Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, i cili në një intervistë ka thënë se Vetëvendosja duhet të heqë dorë prej formave të veprimit të dyfishtë.

Lidhur me këtë deklaratë, asambleisti i Komunës së Prishtinës nga radhët e Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja ka thënë se diskursi politik i Isa Mustafës i takon viteve të 70-ta dhe sipas tij kjo nuk ka si të jetë ndryshe, pasi kryetari i Prishtinës i përket shkollës komuniste, raporton “Kosovapress”.

“Për fat të mirë, Vetëvendosja është një organizatë pulitke, që e aplikon këtë tip të demokracisë, ndërkaq ai mbrëmë bëri thirrje që Vetëvendosje të heqë dorë, respektivisht u distancua prej formave të veprimit të dyfishtë. Ne mendojmë përkundrazi ky diskurs i tij politik, kjo logjikë politike, është e viteve të 70-ta, kur demokracia nuk kuptohej në esencën e saj dhe ishte produkt i absolutizmit që është e vërteta, dhe nuk ka mundësi të dalë prej atij shtratit ai, sepse është i shkollës komuniste”, ka theksuar Ramabaja.

Këto akuza ndaj Mustafës Ramabaja i bëri të enjten në një konferencë për medie, ku Lëvizja Vetëvendosje paraqiti shqetësimet lidhur me buxhetin e vitit 2012 për Komunën e Prishtinës. Ai ka theksuar se udhëheqësve të komunës u mungon vizioni për zhvillimin ekonomik dhe sipas tij askund në përmbajtje të buxhetit nuk shpjegohen në mënyrë të qartë “tabelat e zhvillimit të Prishtinës”.

“Kjo udhëheqje me ekipin e saj, përmes këtij buxheti ka dëshmuar se në fakt ajo çka i mungon më së shumti është vet vizioni i zhvillimit ekonomik, për çudinë më të madhe siç e potencoi edhe kolegu, në krye të saj janë dy ekonomist, ndërkaq komunës i mungon vizioni për zhvillimin ekonomik. Buxheti në asnjë prej zërave nuk është i detajuar, nëse i shikoni tabelat me qartësi, nuk shpjegohen në veçanti asnjë prej tabelave ekzistuese, qytetari pra nuk do të ketë mundësi të përfitojë asgjë nga tabelat, të dijë mbi çfarë kriteresh janë bazuar ekspertët për shpërndarjen e të mirave materiale për projekte të veçanta të prezantuara një nga një”, ka thënë ai.

Në anën tjetër kryetari i degës së Lëvizja Vetëvendosje për Prishtinë, Berat Lahu ka thënë se është shqetësuese, që gjysma e të hyrave vetanake, pra mbi 52 %, janë të hyra nga lejet e ndërtimit. Sipas Lahut kjo qasje ka shumë aspekte negative, pasi që nuk mund të hamendësohet se sa leje ndërtimi mund ti japë komuna për vitin e ardhshëm.

“Prishtina përveç që është e pakontrollueshme në aspektin e planifikimit të financave dhe të hyrave, ne mendojmë që planifikimi i buxhetit në bazë të të hyrave nga lejet e ndërtimit, e ka edhe një aspekt tjetër negativ, që i përket stërngarkimit edhe ashtu të madh të qytetit me ndërtesa, edhe pse në shumë raste në vend se të lejojmë të lehtësojmë jetën e qytetarëve, vetëm se po e bëjmë të kundërtën”, u shpreh ai.

Në ndërkohë Lahu ka thënë se buxheti për vitin 2012 është vazhdimësi e politikës së mbrapshtë të projektimit të buxhetit dhe të idesë së zhvillimit ekonomik në Komunën e Prishtinës, dhe këtë sipas tij nuk e arsyeton as rritja prej 3.8 % të buxhetit që është paraparë të jetë më i madh se i vitit të kaluar. Buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2012 është 61.7 milionë euro, ndërkaq pjesa dërmuese e tij sipas komunarëve pritet të investohet në projekte kapitale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)