28 Prill 2024

Vatikani së shpejti njeh Republikën e Kosovës

Prishtinë, 5 shtator - Qytetarët e Kosovës së shpejti pritet të marrin lajme të mira nga Vatikani, sa i përket njohjes së shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Kjo u bë e ditur gjatë takimit që Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar të hënën me Juliusz Janusz, delegat apostolik për Republikën e Kosovës i Vatikanit, i cili njëkohësisht është nunci apostolik për Slloveni.

Ministri Hoxhaj, ka falënderuar Janusz për përkrahjen e vazhdueshme të Vatikanit për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Hoxhaj po ashtu ka shprehur përkushtimin e institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës për forcimin e marrëdhënieve të gjithanshme me Selinë e Shenjtë, duke shprehur bindjen se Vatikani do të ketë rol edhe më të fuqishëm në progresin e Republikës së Kosovës në të gjitha fushat në të ardhmen.

Në anën tjetër, delegati apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës, Juliusz Janusz, ka shprehur përkrahjen e gjithanshme të Vatikanit për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

Ai ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë dhe ka shprehur përkrahjen e Vatikanit për zhvillimin e mëtutjeshëm të proceseve demokratike në Kosovë.

Sa i përket çështjes  së njohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë, Juliusz Janusz ka thënë se shumë shpejt do të kthehet në Kosovë me lajme të mira nga Vatikani, në këtë drejtim.

Juliusz Janusz, delegat apostolik për Republikën e Kosovës i Vatikanit, do të marrë pjesë në Festën e Nënës Terezë, e  cila do të mbahet në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Nunci i Vatikanit për Slloveni ka marrë pjesë në meshën e shenjtë të mbajtur të dielën në Prizren.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)