UNDP sot lanson raportin e Zhvillimit Njerëzor në Kosovë 2012

Prishtinë, 14 maj - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) sot do të lansojë Raportin e shtatë të Zhvillimit Njerëzor në Kosovë.
Nikoqire e lansimit të raportit i titulluar Sektori Privat dhe Punësimi do të jetë Znj. Osnat Lubrani, Koordinatore e OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, kurse me fjalë rasti të pranishmëve do tu drejtohen edhe Zëvëndës Kryeministrja Znj. Mimoza Kusari-Lila dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rasic.
RZhNj në Kosovë 2012 përqëndrohet në lidhjet ndërmjet zhvillimit njerëzor dhe zgjerimit të sektorit privat duke treguar se rritja e sektorit privat është në mënyrë komplekse e ndërlidhur me kontekstin social të Kosovës dhe duhet të ndërtohet nga një bazë më e gjërë dhe më e drejtë se nga ajo që momentalisht është, që të shlirojë potencialin e vërtetë të tregut të Kosovës.
Vetë raporti është prodhuar nga UNDP dhe Riinvest, si grup ekspertësh, të parët ne fushën e ekonomisë në Kosovë. Studimi i ri mbi Barrierat e Ndërmarrjes është përgatitur dhe drejtuar nga Riinvest-i me një mostër përfaqësimi prej 600 pronarëve të biznesit përgjatë tërë Kosovës, dhe rezultatet janë testuar përmes fokus grupeve të një audience të gjërë.
Në parathënien e raportit, Znj. Lubrani thekson: Ky raport adreson një nga sfidat më të thella të paskonfliktit në Kosovë kapacitetin e ekonomisë për të ofruar vende pune dhe rritje. Dëshira për punë të denjë është njëra nga më kryesoret e të gjitha nevojave njerëzore.
Për një familje mesatare kosovare, puna e denjë do të thotë më shumë ushqim kalorik në tavolinë, shtëpi më e mirë për banim, shëndet më i mirë dhe më shumë liri. Përtej këtyre thelbësoreve, do të thotë dinjitet dhe fuqizim, mundësi për të ndërtuar dhe shkëmbyer dituri, për tu bërë më të aftë dhe për të transferuar ato aftësi tek të tjerët në veçanti tek fëmijët.