30 Prill 2024

Thaçi: Rezultati i dialogut do të jetë njohja reciproke

Prishtinë, 2 nëntor - E drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka shqyrtuar raporte dhe vendime nga fushat e saja të përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese.

Në fjalën e hapjes, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar rëndësinë e madhe të vizitës së Sekretares se shtetit, Hillary Clinton dhe Përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, baroneshës Catherine Ashton.

Porosia dhe mesazhet e kësaj vizite sipas kryeministrit do t’i shërbejnë fuqishëm të ardhmes së Kosovës dhe stabilitetit të rajonit.

Kryeministri ka vlerësuar edhe debatin e zhvilluar dje në Kuvendin e Kosovës për dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dhe ka falënderuar angazhimin e gjithë spektrit politik të Kosovës. Kryeministri Thaçi ka theksuar se “Mbi politikat ditore, rezultati përfundimtar i procesit të dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, do të jetë njohja reciproke e të dyja shteteve”.

Qeveria ka diskutuar dhe miratuar Raportin Statistikor për zbatimin e Planit të Veprimit për Partneritet Evropian.

Raporti përshkruan dhe paraqet matjet e implementimit të PVPE-së. Raporti, gjithashtu është një përmbledhje e të dhënave të grumbulluara nga institucionet në baza vetëvlerësuese në mënyrë objektive. Raporti evidenton 5 kategori të zhvilluara të vlerësimit si: 

- veprimet që janë të përfunduara;

- veprimet që janë në realizim e sipër dhe priten të përfundohen me sukses;

- veprimet që janë në realizim, por kanë vështirësi dhe kërkojnë vëmendje;

- veprimet që kanë filluar të realizohen, por kanë vështirësi të patejkalueshme dhe

- veprimet të cilat nuk kanë filluar të realizohen, por pritet fillimi i realizimit te tyre, ose që janë shtyrë për tu realizuar në të ardhmen.

Ky raport përfshinë periudhën tre mujore (1 korrik deri 30 shtator 2012).

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për obligimet e bashkëfinancimit të ministrive në kuadër të Programit Kombëtar të Bashkimit Evropian të Instrumentit të Para Anëtarësimit (IPA 2012).

Kjo komponent e bashkëfinancimit nga ky program i takon komponentit të parë “Ngritja institucionale dhe asistenca gjatë tranzicionit.

Ky komponent i programit të Instrumentit të Para Anëtarësimit përfshin shumën totale prej 87,1 milion eurove. 63,3 milion euro jepen nga Bashkimi Evropian, 13,5 milion nga donatorët tjerë dhe 10,3 milion euro nga Buxheti I Kosovës.

Mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës do të përfshihen në buxhetet e institucioneve përfituese të projekteve të cilat janë pjesë e programit IPA 2012, në kuadër të kufijve buxhetorë për vitet përkatëse, të caktuar për organizatat buxhetore nga Ministria e Financave.

Zbatimi i këtyre mjeteve i nënshtrohet kushteve dhe kritereve të arritura me marrëveshje nga Komisioni Evropian si përfaqësues i Bashkimit Evropian në njërën anë, dhe, Ministria e Integrimit Evropian, si përfaqësuese e Republikës së Kosovës, në anën tjetër.

Për vitin 2013, do të ndahen mjetet si në vijim:

· për projektin “Kthimi dhe ri-integrimi – faza IV”, Ministria e Kthimit dhe Komuniteteve do të ndajë 1 milionë euro në kategorinë mallra dhe shërbime;

· për projektin “Skema e granteve rurale”, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të ndajë 3 milionë euro në kategorinë e granteve;

· për projektin “Planifikimi hapësinor rural”, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të ndajë 200 mijë euro në kategorinë mallra dhe shërbime;

· për projektin “Regjistrimi i bujqësisë”, Agjencia e Statistikave të Kosovës, si pjesë e Zyrës së Kryeministrit, do të ndajë 500 mijë euro në kategorinë mallra dhe shërbime;

· për projektin “Infrastruktura komunale”, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të ndajë 2.5 milionë euro në kategorinë e investimeve kapitale;

· për projektin “Skema e granteve EURED”, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të ndajë 900 mijë euro në kategorinë e granteve;

Për vitin 2014, do të ndahen mjetet si në vijim:

· për projektin “Kthimit dhe riintegrimi – faza IV”, Ministria e Kthimit dhe Komuniteteve do të ndajë 1 milionë euro në kategorinë mallra dhe shërbime;

· për projektin “Lëvizja e lirë e mallrave”, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të ndajë 500 mijë euro në kategorinë mallra dhe shërbime;

· për projektin “Ndërtimi i fabrikës së riciklimit të mbeturinave shtazore”, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si pjesë e Zyrës së Kryeministrit, do të ndajë 500 mijë euro në kategorinë e investimeve kapitale.

Kabineti qeveritar ka miratuar Raportin Përfundimtar për verifikimin dhe vlerësimin e dëmeve që janë shkaktuar si pasojë e gërmimeve në lokacionin e dyshuar për varrezë masive në fshatin Zhilivodë të komunës së Vushtrrisë.

Gjatë gërmimeve janë prekur 14 (katërmbëdhjetë) ngastra kadastrale. Shuma e përgjithshme për kompensim të këtyre dëmeve kap shumën prej 8,119.90 euro.