29 Prill 2024

Thaçi: Qeveria s'ka nënshkruar asnjë marrëveshje me Serbinë

Prishtinë, 21 korrik - Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë të enjten se Qeveria e Kosovës nuk ka nënshkruar asnjë lloj marrëveshje ndërkombëtare, apo traktat me Serbinë, që do të kishte fuqinë ligjore që të ratifikohej në Kuvendin e Kosovës.

Këto komente, ai i bëri në kohën e pyetjeve parlamentare, kur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama tha se konkluzionet e arritura nga ekspertët konsiderohen si marrëveshje.

Pyetja e Lamës ishte nëse Qeveria do të pranojë që marrëveshjet e arritura me Serbinë të implementohen pa miratimin e Kuvendit, por ka thënë se për këtë ka marrë përgjigje në seancën e jashtëzakonshme javën e kaluar.

Kreu i Qeverisë ka thënë se këto janë konkluzione të përbashkëta dhe nuk ka nevojë të ratifikohen, përderisa çfarë marrëveshje tjetër, sipas tij, do të ratifikohet në Kuvend.

“Delegacioni i Kosovës ka arritur të nxjerrë konkluzione të përbashkëta me delegacionin e Serbisë. Prandaj dëshiroj të theksoj se ato janë konkluzone të përbashkëta dhe jo marrëveshje, dhe çdo marrëveshje që mund të arrihet në të ardhmen për njohjen reciproke, do të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Pra Qeveria e Kosovës do ta respektojë në tërësi Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Deputetja Lama i ka rikujtuar vlerësimet e ekspertëve, sipas të cilëve, këto konkluzione janë marrëveshje.

“Ekspertët thonë se edhe ato konkluzione janë marrëveshje, kjo është ajo që kanë nxjerrë ata. Por ju keni anashkaluar Kuvendin e Kosovës. Ajo që dua të them është se kur e pa që Serbia që marrëveshjet e reja mund të jenë në dëm të saj, mendoj që Serbia u tërhoq për faktin që ato marrëveshje janë negative për të. Të tjerat i ka pranuar, sepse nuk janë negative për të, por janë të dëmshme për Kosovën”, ka thënë Lama.

Ndërsa kreu i ekzekutivit i ka hequr dilemat deputetes Lama nëse këto konkluzione duhet të ratifikohen në Kuvend apo jo.

“Unë flas në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk ka nënshkruar asnjë lloj marrëveshje ndërkombëtare apo traktat me Serbinë që do të kishte fuqinë ligjore për ratifikim në Kuvend. Interpretimet tjera të lira dhe politike unë i çmoj dhe i vlerësoj. Por mbi çdo interpretim të lirë qëndron realiteti i plotë i respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ai i është përgjigjur edhe deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, lidhur me furnizimin me energji elektrike, duke thënë se kur e ka marrë pushtetin në vitin 2007, Kosova ishte në terr energjetik, kurse tani ka një përmirësim të madh në furnizim me energji elektrike.

Thaçi ka thënë se Qeveria është duke u angazhuar maksimalisht për projektin energjetik “Kosova e Re”, në mënyrë që të ketë një stabilizim të plotë të furnizimit me rrymë. Ai ka thënë se furnizimi i plotë me rrymë vazhdon të mbetet një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë së Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)