18 Maj 2024

Thaçi: Kosova me sukses ka përmbyllur fazën e shtet-ndërtimit

Dubrovnik, 6 korrik- Kryeministri i Kosoves, Hashim Thaçi në Samitin “Kroacia 2012”, që mbahet në Dubrovnik ka thënë se vendimi për përmbylljen e mbikqyrjes së Pavarësisë së Kosovës tregon që Kosova është e gatshme që të përmbush të gjitha zotimet që dalin nga proceset integruese dhe të kontriboi që qytetarët e rajonit të bashkëpunojnë për të mirën e fëmijeve të tyre.


“Personalisht, jam krenar që sivjet në këtë samit vij nga një tubim tjetër që ishte me rëndësi të veçantë për vendin tim. Në Vjenë, dy ditë më herët, Grupi Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën vendosi që ta përmbyllë procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Për qeverinë që e udhëheq, dhe për të gjithë kosovarët, është ky një kalim i suksesshëm i provimit të madh të maturisë sonë politike dhe institucionale, ka theksuar ai.

Sipas tij, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian duhet të jenë parimet fondamentale, që na mbledhin sot këtu. Janë këto dy procese të ndërvarura dhe të domosdoshme. Suksesi në procesin e parë do ta përshpejtojë të dytin.

“Mendoj se gati askund tjetër në rajon, këto procese nuk manifestohen aq drejtpërdrejtë sikurse në Kosovë. Atje, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi rajonal është parakusht fondamental për paqe, zhvillim shoqëror dhe integrime evropiane. Nga ky bashkëpunim varet drejtpërdrejti suksesi në luftimin e krimit të organizuar i cili ndikon thellë edhe në stabilitetin dhe perspektivën e shoqërive fragjile të mbarë rajonit”, ka deklaruar kryeministri në Dubrovnik.

”Nga ky bashkëpunim varet zhvillimi ekonomik e kulturor. Shtetet e rajonit tonë janë të pavarura, por edhe të vogla po ashtu, edhe të varfra. Ato nuk kanë gjasa të zhvillohen në kushte të izolimit dhe përmes politikave të mosbesimit”, ka theksuar ai.

Nga ky bashkëpunim, sipas tij, varet lëvizja e lirë për qytetarët dhe për mallrat. Shumëçka në Ballkanin jugperëndimor është e paktë, përveç numrit të kalimeve kufitare dhe zyrave doganore. Ngado që ktheni kokën, një doganë do t’ju prenë udhën çdo 100 kilometra.

“Zakonisht, siç edhe ndodhë me kufijtë, ata së pari themelohen me solemnitet dhe krenari, si simbole të lirisë kombëtare dhe sigurisë shtetërore. Si zakonisht, vite më vonë, po ata kufij shndërrohen në kufizime të lirive personale dhe të zhvillimit të shoqërive. Ndërkohë, sot dhe këtu, para nesh, si përfaqësues të këtyre kufijve, vazhdon përsëritja e sfidës së përhershme: si mund t’i mirëmbajmë liritë kombëtare dhe sigurinë shtetërore duke hapur kufijtë tanë”, ka theksuar Thaçi.

Kryeministri Thaçi në këtë Samit ka theksuar se gjatë vitit të kaluar, Republika e Kosovës dëshmoi edhe një herë gatishmërinë e vet për bashkëpunim rajonal, duke qenë pjesë e procesit dialogues me Republikën e Serbisë.

“Rregullisht, marrëveshjet e arritura në atë proces, e ngritin këtë dilemë sa të pakuptueshme për vëzhguesin e huaj, aq edhe të zakonshme për nën qiellin ballkanik. Megjithatë, jam krenar të deklaroj para jush se kompromiset e mëdha të ngjizura në marrëveshjet tona ishin të udhëhequra nga një parim i vetëm. Nga synimi për ta përmirësuar jetën e qytetarëve, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi”, ka thënë ai.

Mirëpo, marrëveshjet, sipas tij, duhet të jetësohen dhe të zbatohen.

Është kjo një pritje legjitime dhe kërkesë institucionale e Republikës së Kosovës. Nga gatishmëria për zbatimin e tyre varet edhe bashkëpunimi rajonal e me këtë, edhe shpejtësia në proceset integruese evropiane”, ka theksuar ai.

Sipas tij, për të dy palët pa dallim, nga zbatimi i këtyre marrëveshjeve varet edhe mirëqenia dhe lëvizja e lirë e popujve tanë.

“Nga kjo anë, Kosova nuk ka dilema. Mirëqenia dhe zhvillimi përmes bashkëpunimit dhe integrimeve nuk kanë alternative:, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Shefi i qeverisë, ka thënë në samit se fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë është dëshmi se Kosova me sukses ka përmbyllur fazën e shtet-ndërtimit.

“Kjo e arritur, është sukses i përbashkët i kosovarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Në këtë aspekt, ndihma e BE-së, SHBA-së, dhe e të gjitha shteteve të cilat janë anëtare të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, ka qenë e pazëvendësueshme. Unë përfitoj nga ky rast që t’i falënderoj edhe një herë të gjitha shtetet që kanë qenë pjesë e procesit të gjatë të shtet-ndërtimit. Tani që jemi plotësisht të pavarur, përgjegjësia e jonë shtetërore është shumë më e madhe”, ka deklaruar ai.

Thaçi ka siguruar të gjithë se institucionet e Kosovës do t’i zbatojnë në praktikë të gjitha obligimet e ndërmarra që tashmë janë pjesë e Kushtetutës dhe ligjeve moderne të Kosovës.

“Ne do të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet e mira fqinjësore më të gjitha shtetet e rajonit, dhe në këtë aspekt, jemi të interesuar që një gjë të tillë, ta bëjmë edhe me Serbinë. Prandaj, ndihma e juaj, është e vendimtare që relacionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të normalizohen. E di se një gjë e tillë, nuk do të jetë e lehtë, por e di gjithashtu se nuk alternative tjetër”, ka thënë ai.

”Në fund, dua të ritheksoj faktin se BE-ja ka një rol vendimtar për të luajtur në krijimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkan dhe më gjerë. Fundja, kjo është një ndër objektivat e saja kryesore të politikës së jashtme strukturale. Prandaj, ne presim që BE-ja të jetë më e vendosur, me efikase, më dinamike në evropianizimin e shteteve të Ballkanit Perëndimorë që ende nuk janë anëtare të BE. Ne do t’i kryejmë detyrat tona, mirëpo duam që edhe BE-ja t’i materializojë premtimet dhe pritjet tona për anëtarësim”, ka deklaruat kryeministri Thaçi.

Samiti “Kroacia 2012” që po mbahet në Dubrovnik të Kroacisë ka një përbërje shumë të gjërë të pjesëmarrësve nga liderët e Evropës Juglindore dhe asaj Qendrore.

Diskutimet e këtij Samiti, i cili është tradicional janë orientuar në bashkëpunimin rajonal, si parakusht për integrimin në Bashkimin Evropian, përderisa Kroacia e cila vitin e ardhshëm do të bëhet antare e Bashkimit Evropian, ka shprehur gatishmërinë që të ofrojë përvojat e veta për vendet tjera rajonale.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Alekx Fog Rasmussen, ka thënë se Aleanca të cilën ai e udheheq është e gatshme të ndihmoi për të krijuar një Evropë unike dhe ju ka bërë thirrje vendeve rajonale që të luftojnë dukuritë negative dhe të bashkëpunojnë mes veti.

Në këtë Samit është i pranishëm edhe zv. ndihmesi i sekretarit të Shtetit te Philip Reeker.

Nderkaq nesër në mëngjes, Kryeministri i Kosoves, Hashim Thaçi do të ketë takim me zv.sekretarin e SHBA-së për Evropë dhe Azi, Philip Gordon i cili është në një vizitë në disa shtete të Evropës.

Kryeministri Thaçi nesër do të takohet edhe me Kryetarin e Kroacisë Ivo Josipoviq dhe me lider të tjerë që po marrin pjesë në Samit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)