30 Prill 2024

Thaçi: Autonomia për veriun, ëndërr e Serbisë

Prishtinë, 3 nëntor - Kryeministri Hashim Thaçi u është kundërpërgjigjur zërave për mundësinë që ekipi i Serbisë në dialogun me Kosovës do të kërkojë autonomi për veriun e Kosovës.

Ai ka thënë se kjo nuk mund të ndodhë dhe se një gjë të tillë e ka bërë të qartë e gjithë bota demokratike.

Thaçi tha se në dialog me Serbinë do të jetë e përfshirë edhe opozita. Në LDK thonë se nuk ka pse të përfshihet opozita në dialog, ndërsa zyrtarët e AAK-së thonë se nuk ka diçka konkrete për përfshirjen e tyre në këtë proces.
 
Autonomia për veriun e Kosovës është një ëndërr e kahmotshme e Serbisë, e cila kurrë nuk do të realizohet. Kështu është shprehur kryeministri Hashim Thaçi, duke iu përgjigjur zërave, sipas të cilëve, ekipi serb, gjatë vazhdimit të dialogut, ka përfshirë në platformën e tij, kërkesën për një autonomie substanciale për veriun e Kosovës.

“Kjo ka qenë një ëndërr e kamotshme e Serbisë. Është një ëndërr që nuk do të realizohet kurrë.

Një përgjigje të tillë e kanë marrë edhe nga e gjithë bota demokratike. Por ajo ide që është prezantuar në mediumet serbe do të jetë e parealizueshme në Kosovë. Kosova është e pavarur, sovrane”, tha Thaçi.

Kreu i Qeverisë theksoi se se bisedimet politike me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve do të përfundojnë me njohje reciproke të të dyja vendeve, ndërsa shtoi se pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do të jetë edhe opozita në Kosovë.

Mediat raportojnë se AAK-ja tashmë i ka dhënë mbështetje nënkryetarit Blerim Shala që të jetë pjesë e ekipit të kryeministri Thaçi në këtë dialog, ndërsa Lutfi Haziri po përpiqet të gjejë mbështetjen e LDK-së.

Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija e kontaktuar nga Radio Kosova, këto informacione i quan spekulime, ndërsa thotë se LDK-ja nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në dialog, por përmes Kuvendit do të jetë mbikëqyrëse e dialogut të udhëhequr nga Qeveria, ashtu siç parashihet edhe me rezolutë.

Sipas saj, partitë opozitare nuk kanë pse të inkuadrohen në këtë proces.

Ndërsa Blerim Shala nuk ka dashur të komentojë, duke thënë mund të flas vetëm atëherë kur të ketë diçka konkrete në këtë drejtim.

Megjithatë, anëtari i kryesisë së AAK-së, Ernest Luma tha se në strukturat drejtuese të partisë nuk është marrë ndonjë vendim për pjesëmarrje në dialog apo jo.

“Në strukturat vendimmarrëse të AAK është diskutuar në të kaluarën, natyrisht për gatishmërinë që AAK-ja të jetë pjesë e të gjitha proceseve në të mirën e vendit, në çfarëdo pozicioni dhe kudo që është. Mirëpo si parti politike deri më tani konkretisht Këshilli Drejtues, strukturat drejtuese të partisë nuk kanë marrë ndonjë vendim tjetër”, tha Luma për Radio Kosovën.

Ndryshe, nismën e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ka shënuar takimi i kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq, ditë më parë në Bruksel, ndërsa takimi i radhës është paralajmëruar për 7 nëntor.

Përveç Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e ka kundërshtuar këtë dialog edhe përmes Kuvendit edhe përmes protestave, të gjitha grupimet tjera politike i kanë dhënë mbështetje qeverisë për fillimin e dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.(rtk)