30 Prill 2024

Thaçi: Aksioni në Veri nuk do të mund të pengohet

Prishtinë, 14 shtator - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë sot disa detaje rreth planit operacional për funksionalizimin e plotë të kontrollit në vendkalimet kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do të nisin veprimet e Qeverisë së Kosovës të koordinuara me faktorin ndërkombëtar për vënien e kontrollit të plotë në pikat kufitare 1 dhe 31, ndërsa ka thënë se këto veprime nuk do të mund të pengohen në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim nga strukturat kriminale, të organizuara nga Beogradi zyrtar.

“Në ditët në vijim qytetarët e Republikës Kosovës që jetojnë në veri të vendit, do të shohin dhe prekin veprimet konkrete pozitive të institucioneve të shtetit të Kosovës, përmes së cilave jeta e tyre do të përmirësohet dukshëm."

Këto veprime sipas tij nuk do të mund të pengohen në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim nga elementët kriminalë, të strukturave ilegale kriminale që kanë terrorizuar dhe mbajtur peng qytetarët e zakonshëm atje për më tepër se 12 vjet.

Sipas Thaçit, Qeveria në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare ka përpiluar një udhërrëfyes të qartë për normalizimin e jetës dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë, udhërrëfyes ky që përmban një mori veprimesh të cilat do të realizohen nga institucionet legjitime të Kosovës në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar dhe i cili është i tërë në shërbim të përmirësimit të jetës dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore për qytetarët që jetojnë në veri të vendit.

"Ne bashkë me komunitetin ndërkombëtar jemi të palëkundur në angazhimet tona për normalizimin e gjendjes në veri të vendit, për t’iu mundësuar qytetarëve tanë atje, jetë normale, pa frikë, jetë demokratike dhe natyrisht rend dhe ligj”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e interesuar dhe duke punuar maksimalisht për shtrirjen e autoritetit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përmes procesit të dialogut që është arritur me konkluzione të përbashkëta në Bruksel, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.

“Funksionalizimi i tyre do të bëhet duke iu nënshtruar disa rregullave strikte. KFOR-i do të operojë në pajtueshmëri me mandatin e tij. Autoritetet e Kosovës do të kenë autoritetin komandues, ekzekutiv. Policia e Kosovës, doganat dhe EULEX-i do ta kenë në dispozicion personelin dhe resurset për kryerjen e kontrolleve”, ka shpjeguar kryeministri Thaçi.

Ai ka ripërsëritur vendosmërinë e tij se veprimet që do të ndërmerren në ditët në vijim nuk do të mund të pengohen nga strukturat kriminale që mbajnë peng veriun e Kosovës tashti e 12 vjet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)