29 Prill 2024

Tahiri: S’ka bisedime pa zbatimin e marrëveshjeve

Prishtinë, 13 gusht - Udhëheqja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, tha sot në Prishtinë se pa zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash, nuk mund dhe nuk do të ketë vazhdim bisedimesh.

Ajo i bëri këto komente duke folur për marrëveshjet e deritashme, që sipas saj, janë shumë të rëndësishme për jetën e qytetarëve të të dyja vendeve.

Zonja Tahiri tha se bashkëpunimi dhe dialogu me vendet e rajonit janë detyrime kushtetuese, por edhe veprime që ndihmojnë qëndrueshmërinë dhe paqen në rajon.

“Dialogu teknik në agjendë ka edhe disa çështje të hapura, siç e dini, si telekomi, energjia, çështja e të pagjeturve, çështja e trashëgimisë kulturore, por edhe një listë më e gjatë, që ne e kemi deponuar pranë autoriteteve të Bashkimit Evropian. Por, qëndrimi ynë është i qartë se pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve, nuk duhet të vazhdojë dialogu teknik”.

Ajo tha se u takon ndërmjetësuesve të ndërmarrin të gjitha masat për të siguruar zbatimin e marrëveshjeve dhe në mënyrë të veçantë atë për menaxhimin e përbashkët të kufirit.

“Përgjegjësia kryesore për moszbatim, së pari bie te Serbia e cila edhe kësaj radhe në këtë dialog teknik, përdori atë logjikën e standardeve të dyfishta, për gjoja një gatishmëri verbale për marrëveshje teknike, por në anën tjetër, praktikisht shfaqi atë, do të thosha realitetin e mendësisë së saj politike për mosgatishmërinë që të kryejë obligimet zbatuese”, tha zonja Tahiri.

Autoritetet në Serbi, janë shprehur në favor të zbatimit të marrëveshjeve dhe vazhdimit te bisedimeve por tash në nivel më të lartë politik. Zyrtarë të Beogradit thanë se gjatë këtij muaji pritet të hartohet platforma e këtyre bisedimeve që do të mund të mbaheshin në vjeshtën e këtij viti dhe atë ndërmjet udhëheqësve më të lartë të të dyja vendeve.

Zyrtarë të qeverisë në Prishtinë thanë se nuk janë duke ngarendur për takime të tilla, por janë të gatshëm për çdo veprim që do të normalizonte marrëdhëniet me Serbinë.

Vjeshta e këtij viti përmendet gjithnjë e më shpesh si periudhë e takimeve në nivelin më të lartë politik, ku do të mund të shtrohej edhe çështja e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.

Paralajmërimet për bisedime të tilla, tashmë kanë ngritur edhe debatet lidhur me rirenditje në skenën e brendshme politike  në funksion të përballimit të sfidës së bisedimeve për veriun. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)