29 Prill 2024

Tahiri: Pa dialog, Serbia bllokon veten

Prishtinë, 20 tetor - Kryenegociatorja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka shprehur optimizëm se në javën e dytë të nëntorit do të rinisë dialogu teknik në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Në një intervistë për Epokën e Re, Tahiri ka deklaruar se vazhdimi i këtij dialogu varet nga vendosmëria e diplomacisë së Bashkimit Evropian.

“Raundi i ri i dialogut teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë pritet të mbahet në javën e dytë të muajit nëntor. Ky raund i dialogut do të varet shumë nga diplomacia evropiane, e cila duhet të kërkojë nga Serbia t’i respektojë kushtet që dalin nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian.\"

\"Ky komision ka kërkuar nga Serbia që pa kushte të kthehet në dialogun teknik, t’i zbatojë marrëveshjet e arritura si dhe t’i rregullojë raportet me Republikën e Kosovës, duke i zhbërë strukturat paralele. Zhbërja e këtyre strukturave është kusht për fillimin e negociatave për anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian”, ka thënë Tahiri.

Në këtë kontekst, Tahiri ka thënë se Serbia mund ta bllokojë vetveten në rast se nuk dëshiron të dialogojë me Republikën e Kosovës.

“Rezultatet e dialogut teknik në mes të Prishtinës dhe Beogradit varen nga disa faktorë, në radhë të parë nga vendimi i Serbisë se a dëshiron të përparojë drejt BE-së apo dëshiron ta bllokojë vetveten. Nëse Serbia përcaktohet për bllokimin e vetvetes, sigurisht do të dëmtohet si shtet.\"

\"Në bazë të deklaratave të zyrtarëve të lartë serbë, shihet se Serbia e dëshiron integrimin në BE, i cili është një indikator shumë i fuqishëm dhe i qartë se dialogu do të vazhdojë”, është shprehur Tahiri, duke ia bërë të qartë Serbisë se vazhdimi i dialogut është obligim ndërkombëtar.

Kryenegociatorja Tahiri ka bërë me dije se gjatë këtyre ditëve ka biseduar me ndërmjetësuesin e BE-së, Robert Cooper, për dialogun i cili sipas saj është duke u angazhuar maksimalisht që ky dialog të mbahet në muajin nëntor. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)