29 Prill 2024

Tahiri: Gjendja e sigurisë në rajon është në përgjithësi stabile

Stamboll, 12 dhjetor - Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri mori pjesë në Takimin Strategjik të Lobit Rajonal Të Grave (RWLSEE) që u mbajt në Stamboll prej 8 deri më 11 dhjetor.

Temë qendrore e këtij takimi ndërkombëtar ishte “Gjendja e sigurisë në rajon dhe fuqizimi i grave në proceset e integrimeve euro-atlantike”.

Në takim morën pjesë përfaqësuese të shtatë vendeve të rajonit dhe përfaqësuesit e organizatave të OKB-së nga UNWomen dhe UNDP.

Zëvendëskryeministrja Tahiri, e cila është njëkohësisht edhe Kryetare e Lobit Rajonal të Grave, në fjalimin e saj mes tjerash theksoi rëndësinë e reformave evropiane për vendet e rajonit, forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Ajo vlerësoi se gjendja e sigurisë në rajon është në përgjithësi stabile, mirëpo në agjendën e sigurisë ende rëndojnë çështje të caktuara.

Në këtë kuadër ajo përmendi marrëdhëniet jo të mira fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë, çështjet e konsolidimit shtetëror të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe situatën etnike në Maqedoni.

Duke folur për Kosovën, Tahiri theksoi përparimet në shtetndërtimin demokratik dhe reformat evropiane si dhe angazhimin konstruktiv në dialogun teknik me Serbinë, duke falënderuar me këtë rast BE-në për shpërblimet që ia bëri Kosovës në vlerësim të reformave dhe konstruktivitetin në dialog.

Me këtë rast, ajo ftoi Serbinë që të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel si dhe të zhbëjë strukturat paralele në respektim të standardeve evropiane për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal.

Zëvendëskryeministrja Tahiri në mënyrë të veçantë potencoi se rajoni është në epokën euro-atlantike dhe është me rëndësi qenësore që politikat e shteteve të rajonit të udhëhiqen nga parimet euro-atlantike, si një rrugë vetme për prosperitet dhe paqe të qëndrueshme në këto hapësira.

Sa i takon çështjes së grave, Tahiri vlerësoi proceset e fuqizimit të grave në Kosovë dhe rajon si dhe u angazhua për një fuqizim të qëndrueshëm të grave në politikë dhe pozita vendimmarrëse.

Në këtë kontekst, ajo bëri një vlerësim të lartë për veprimtarinë e Lobit të Grave të Rajonit si një organizatë e fuqishme në mision të fuqizimit të grave për paqe, siguri dhe drejtësi në frymën e Rezolutës 1325 të KS të OKB-së.

Zonja Tahiri shprehu falënderimet e veçanta UNWomen për përkrahjen e vazhdueshme për Lobin Rajonal të Grave si dhe UNDP për ofertën për publikimin e një libri për veprimtarinë e LRG-së.

Në këtë takim strategjik të LRG-së kontribuuan përfaqësueset e shtatë vendeve të rajonit, ku krahas Kosovës ishin edhe nga Kroacia, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)