06 Maj 2024

Strukturat e kriminele në veri udhëhiqen nga politika e Beogradit

Prishtinë, 21 nëntor - Me ftesë të kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr.Jakup Krasniqi, mori pjesë sot në punimet e sesionit të dytë të Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të Bashkëpunimit  Ekonomik në Rajonin e Detit të Zi, i cili po mbahet në Tiranë , ndërsa do të zgjasë deri më 23 nëntor.

Temë e këtij sesioni, në të cilin pos kryeparlamentarëve nga Kosova dhe Shqipëria,marrin pjesë edhe 150 biznesmenë turq dhe 200 sipërmarrës shqiptarë, është bashkëpunimi ekonomik dhe investimet në këtë Rajon.

Kryekuvendari Krasniqi u prit sot edhe nga presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Me këtë rast, kreu u legjislativit të vendit foli për proceset aktuale në Kosovë, duke u ndalur edhe në zhvillimet në veri të vendit.

”Veprimet e institucioneve tona ishin  veprime të domosdoshme, sepse ka pasur mosveprim të institucioneve ndërkombëtare. Strukturat e jashtëligjshme në veri udhëhiqen nga politika e Beogradit”, theksoi kryekuvendari Krasniqi.

Në vijim kryetari Krasniqi foli edhe për Raportin e Progresit, çështjen e liberalizimit të vizave, si dhe për çështje të tjera aktuale, siç është reforma zgjedhore, zhvillimi ekonomik etj.

Krasniqi e falënderoi presidentin Topi për mbështetjen e presidentit dhe të institucioneve tjera të Shqipërisë që po i japin Kosovës, duke shprehur besimin se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë do të thellohet edhe më.    

Presidenti Topi theksoi se ndihet krenar me të arriturat e Kosovës, ndërkaq duke i bërë një vështrim bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, theksoi se ato duhet të vazhdojnë, duke shprehur edhe inkurajim për këtë dialog.

Në vazhdim presidenti Topi foli për infrastrukturën, përkatësisht për Rrugën e Kombit, vepër kjo madhore, e cila duhet të shpejtojë edhe më bashkëpunimin e komunikimin në mes qytetarëve dhe institucioneve ndërmjet dy vendeve.

Në fushën e ekonomisë,sidomos në lëmin e bujqësisë, kjo rrugë ofron mundësi më të mëdha bashkëpunimi, theksoi Bamir Topi.

Presidenti Topi tha se Kosova do të ketë vazhdimisht mbështetjen e presidentit dhe të institucioneve tjera të shtetit shqiptar.
   
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)