30 Prill 2024

Sllovenia model për Kosovën evropiane

Bled-Slloveni, 9 shtator – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bledit është pritur sot nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Sllovenisë, Samuel Žbogar.


Në këtë takim, dy ministrat kanë diskutuar lidhur me thellimin e marrëdhënieve mes dy shteteve në të gjitha nivelet.


Ministri Hoxhaj ka falënderuar homologun slloven për mbështetjen e shtetit të tij në periudhën e para dhe pas pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se Sllovenia gjithmonë ka qenë një shembull i mirë i rrugës që Republika e Kosovës duhet të ndjek drejt Bashkimit Evropian.


Ministri Hoxhaj në këtë takim ka kërkuar mbështetjen e Sllovenisë për aspiratën e Republikës së Kosovës që brenda këtij vitit të ketë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian si dhe për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave.


“Bashkimi Evropian është konceptuar mbi dy koncepte fondamentale, të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave. Nëse brenda këtij viti nuk do të kemi marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe qytetarët e Kosovës edhe më tutje mbesin të izoluar, ky do të ishte një mesazh shumë negativ”, ka thënë ai.


Ministri i Jashtëm i Kosovës është siguruar nga Ministri Žbogar që Sllovenia do të bëj presionin e duhur në BE, në mënyrë që këtë vit Republika e Kosovës të marr udhërrëfyesin dhe të nënshkruaj marrëveshje për tregti me BE-në.


“Ne presim që qytetarët e Kosovës të marrin lajme të mira nga Brukseli. Besojmë se raporti i progresit do të jetë në këtë frymë”, ka thënë Žbogar.


Të dy ministrat janë pajtuar se politikat e Bashkimit Evropian nuk duhet shndërrohen në politikë të 5 shteteve që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.


“Këto shtete janë duke e paralizuar misionin e Bashkimit Evropian, janë duke paralizuar të ardhmen tonë Evropiane”, është shprehur Ministri Hoxhaj.


Megjithëkëtë, dy ministrat janë shprehur optimist se shumë shpejt Republika e Kosovës do të ketë marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Sipas tyre, dialogu teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të ndihmoj shumë në këtë drejtim.


Temë e diskutimit po ashtu ka qenë gjendja e krijuar në veri të Kosovës. Me këtë rast, Ministri Hoxhaj ka kërkuar nga Sllovenia që t’i bashkohet thirrjeve çdo ditë e më të fuqishme të shteteve të BE-së që të shtojnë presionin mbi Beogradin për të shpërbërë strukturat paralele ilegale në Kosovë.


“Serbia nuk është e interesuar për mirëqenien e serbëve të Kosovës. Tash e 12 vjet serbët janë peng të strukturave kriminale, që frikën e kanë mjetin e vetëm për të penguar integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare. Ne nuk do të ndalemi, jemi të vendosur që të ketë sundim të ligjit në veri”, ka shtuar Hoxhaj.


Dy ministrat janë pajtuar që Serbia duhet heq dorë nga mbështetja e strukturave paralele në Kosovë, të cilat janë duke prodhuar vetëm jo stabilitet.


Gjatë punimeve të Forumit Strategjik të Bledit, Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, do të zhvilloj takime edhe me shumë burrështetas, politikanë dhe homologë të shteteve të botës, të cilët janë prezentë në Bled të Sllovenisë.