07 Maj 2024

S’ka koalicione për Kaçanikun

Prishtinë, 8 qershor - Pas garës për kryetar të komunës së Ferizajt, subjektet politike individualisht do t’i masin forcat edhe në “betejën” për kryetar të komunës së Kaçanikut më 17 qershor.

 

Asnjëri nga subjektet garues nuk e ka ndërmend të bëjë koalicione parazgjedhore, duke synuar fitore në forca të veta

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besim Ilazi, ka thënë për “Epokën e re” se PDK-ja nuk do të bëjë koalicion me asnjë subjekt politik, pasi ajo ka koalicion vetëm me qytetarët.

“As që kemi menduar për ndonjë koalicion të mundshëm, pasi ne jemi në koalicion të përhershëm me qytetarët e Kaçanikut. Prandaj, jemi të bindur në fitoren tonë edhe në Komunën e Kaçanikut. Mbetet të shihet rezultati më 17 qershor, mirëpo PDK-ja dhe unë synojmë që qysh në raundin e parë ta fitojmë mandatin për ta qeverisur edhe më tutje këtë komunë”, ka deklaruar Ilazi.

Edhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të kësaj komune, Sahit Bela, synon t’i fitojë zgjedhjet e 17 qershorit. Ai ka thënë se këtë herë qytetarët e Kaçanikut do ta votojnë ofertën e LDK-së, prandaj koalicionet i sheh të panevojshme.

“LDK-ja do të garojë si subjekt i vetëm politik, prandaj nuk ka menduar dhe nuk do të bëjë asnjë koalicion. Oferta dhe motoja jonë për qytetarët e Kaçanikut është punë dhe ndershmëri. Pra, konsiderojmë se LDK-ja nuk do të ketë nevojë për koalicione, pasi qytetarët do ta përkrahin ofertën tonë e cila është mjaft serioze dhe në të mirë të qytetarëve”, ka deklaruar Bela.

Edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! (VV), Shukri Luta, koalicionin e vetëm e sheh me qytetarët e komunës së Kaçanikut.

“Lëvizja Vetëvendosje! dhe unë, kandidati i saj për kryetar të Komunës së Kaçanikut, kemi koalicion me qytetarët e jo me subjektet politike. Absolutisht as që kemi menduar për ndonjë koalicion me ndonjë subjekt politik për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Kaçanikut”, ka thënë Luta, duke besuar në fitoren e tij dhe të Vetëvendosje!-s qysh në raundin e parë të zgjedhjeve.

Për dallim nga partitë e tjera, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në zgjedhjet e 17 qershorit do ta këtë mbështetjen e LDD-së, si dhe shpreson në përkrahjen e elektoratit të AKR-së.

“Nuk kemi biseduar dhe nuk e kemi ndërmend të bisedojmë me partitë e tjera për koalicionet parazgjedhore pa përfunduar raundi i parë i zgjedhjeve. Megjithatë, dyert e AAK-së janë të hapura për të gjithë ata që janë të interesuar. AAK-ja garon e vetme në zgjedhjet e 17 qershorit. Nuk kemi koalicion me asnjë parti, mirëpo kemi mbështetje nga LDD-ja. Po ashtu, besojmë në përkrahjen e elektoratit të AKR-së, pasi ish-lidershipi i kësaj partie në Kaçanik tashmë ka kaluar në partinë tonë. AAK-ja dhe unë i kemi hyrë garës për të fituar qysh në raundin e parë të zgjedhjeve”, ka thënë kandidati i AAK-së për kryetar të komunës, Tahir Çaka.

Qytetarët e komunës së Kaçanikut do t’u drejtohen kutive të votimit për ta zgjedhur kryetarin e tyre më 17 qershor, pasi ish-kryetari Xhabir Zharku është dënuar me 3 vjet burgim për vepër penale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)