29 Prill 2024

Shukri Luta kandidat i Vetëvendosjes për Kryetar të Kaçanikut

Prishtinë, 23 maj - Duke u bazuar në afatet statutore, kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje!, në Kaçanik, Basri Kodra shpalli sot rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të brendshme për kandidatin për Kryetar të Komunës së Kaçanikut.

“Komisioni Zgjedhor i Qendrës ka pritur deri në 24 orë pas mbylljes së vendvotimeve dhe nuk kemi pasur asnjë ankesë. Anëtarët tanë kanë votuar në nivelin 97.14 % per kandidatin Shukri Luta. Komisioni Zgjedhor i Qendrës shpall fitues të këtyre zgjedhjeve të brendshme Luta, i cili që nga ky moment është Kandidati zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje! për Kryetar Komune në Kaçanik, dhe gëzon mbështetjen e plotë si të anëtarëve ashtu edhe të Kryesisë së Lëvizjes” deklaroi z. Kodra.

Me këtë rast deputeti i Vetëvendosje!-s dhe Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca tha se, Kaçaniku ka kontribuar shumë në luftë, por se gjaku i derdhur i dëshmorëve nuk është shpaguar nga pushtetarët e ardhur pas lufte.

Ai theksoi se, “shumica e qytetarëve të Kosovës, gjatë vitit 2011, e kemi parë në lajme Kaçanikun vetëm dy herë: Herën e parë për palmat që i zuri dimri dhe herën e dytë për ngritjen e aktakuzës ndaj Xhabir Zharkut. Është gjynah që ky të jetë identiteti i komunës së Kaçanikut. Kaçaniku di më shumë se kaq. Kaçaniku mundet më shumë se kaq.

Lëvizja Vetëvendosje! e ka zgjidhjen e duhur për ta kthyer Kaçanikun aty ku e ka vendin e merituar. Kjo zgjidhje është ky njeri – Shukri Luta – kandidat i LVV për kryetar të komunës së Kaçanikut.”

Konjufca tha se pas mbështetjes që ka marrë Shukri Luta nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje!, beson se edhe shumica qytetarëve të Kaçanikut do ta mbështesin fuqishëm, Shukri Lutën, për shkak të përkushtimit të palodhshëm për Kaçanikun, si dhe për shkak të koncepteve politike e projekteve konkrete që ka ai për këtë komunë.

Ndërsa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! për Kryetar të Kaçanikut, Shukri Luta fillimisht u shpreh se është krenar që ka marrë mbështetjen e plotë të ativistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! përmes zgjedhjeve të brendshme.

Ai tha se, Kaçaniku si një vend historik, me të cilin gjatë shekujve janë krenuar jo vetëm qytetarët e këtij vendi, po të gjithë shqiptarët kudo që janë, nuk është lejuar nga pushtetarët e pasluftës që të zhvillohet.

“Sakrificat e dëshmorëve dhe vlerat e luftës u keqpërdorën nga pushteti që u pasurua në mënyrë të paligjshme ndërsa populli mbetet gjithnjë e më i varfër. Të gjitha qeverisjet e pasluftës e kanë lënduar thellë imazhin, krenarinë, sakrificën, nevojën për drejtësi e për zhvillim në këtë vend. Këto probleme nuk janë luftuar as nga forcat e tjera opozitare, që nuk kanë luftuar sa duhet e nuk kanë punuar sa duhet për ta rrëzuar këtë pushtet. Por pushteti dhe qeverisja sot janë rrëzuar prej peshës së zullumit të vet, prej peshës së krimit dhe të korrupsionit” theksoi Luta.

“Tash është koha për ta mposhtur përfundimisht mendësinë e prapambetur dhe kriminale të një pushteti që na ka sjellë vetëm padrejtësi, pabarazi dhe mjerim. Ne do të punojmë të gjithë së bashku, pasi tash është koha për drejtësi, barazi dhe zhvillim.

Tash është koha që bashkë me Xhabir Zharkun të shkojë dhe pushteti i PDK-së. Unë e njoh këtë vend, i njoh qytetarët e Kaçanikut, dhe kam punuar shumë me ta. Ne do ta zhvillojmë këtë vend dhe do ta çlirojmë potencialin e kësaj komune me ndershmëri, me punë e me trimëri, e për këtë do të përgatitemi të gjithë së bashku, duke u takuar në secilin fshat e në secilën lagje, për të diskutuar problemet dhe hallet që do të zgjidhim së bashku. Tash është koha për ju!” përfundoi Shukri Luta.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)