04 Maj 2024

Shqipëria ka marrëdhënie të veçanta me Kosovën

Prishtinë, 29 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot Presidentin e Republikës së Shqipërisë, zotëri Bamir Topi, që po qëndron në vendin tonë për vizitë shtetërore dyditore.

Presidentja Jahjaga e falënderoi Presidentin Topi për angazhimin e tij te vazhdueshëm dhe për ndihmën dhe angazhimin që Republika e Shqipërisë ka treguar dhe vazhdon të tregojë për Kosovën dhe theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit, posaçërisht në zhvillimin ekonomik të vendit.

 Jahjaga tha se Presidenti Topi zgjodhi pikërisht Kosovën që të ketë vizitën e lamtumirës para dorëzimit të detyrës Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë.

\"Unë i kam të njohura mirë emocionet e Presidentit Topi për Kosovën dhe popullin e saj, për përkushtimin e tij për të gjitha çështjet e Republikës së Kosovës dhe prosperitetin e saj, angazhimin e tij për të gjitha çështjet, sidomos që si President i Republikës së Shqipërisë ka paraqitur çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, në samite ndërkombëtare dhe në konferenca të ndryshme\", theksoi Jahjaga.  
 
Marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë sipas saj janë marrëdhënie shembullore dhe si dy shtete sovrane dhe të pavarura, kanë një qëllim të përbashkët në rrugën drejt integrimeve euroatlantike, si dhe një përkushtim të vazhdueshëm në angazhimin e mëtutjeshëm të të dy shteteve tona në gjetjen e formave për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat që janë me interes të të dy shteteve tona, veçanërisht për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, këmbimit tregtar, qarkullimit të mallrave dhe njerëzve, investimit të kapitalit dhe daljes së përbashkët në tregjet e treta.

Nderkaq Presidenti Topi se në Kosovë ka përjetuar në vite emocionet më të forta të jetës . 

\"Unë kam parë që Kosova jo vetëm ka dalë në profilin e vet të qartë në arenën ndërkombëtare, sot njihet nga një numër i konsiderueshëm vendesh dhe Kosova, si asnjëherë tjetër, është një faktor shumë i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon\", theksoi Topi.  

Kosova sipas tij është një shtet i ri, i cili, jashtë çdo paragjykimi, ka vendosur themelet e një shteti multietnik, në respekt të plotë të minoriteteve, duke e projektuar Kosovën një vend që në të ardhmen patjetër që do të jetë pjesë e familjes euroatlantike.

Patjetër që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës sipas tij janë më shumë se miqësore, ato janë vëllazërore, ato po gjejnë dimensione të reja çdo ditë, falë punë së institucioneve të dy vendeve tona, falë edhe popujve tanë të cilët kanë një histori, një gjuhë, një traditë dhe janë pjesë e një realiteti të ri në Ballkan.

\"Fatmirësisht, sot edhe infrastruktura lejon që ky komunikim të jetë më i afërt. Ne e shohim me kënaqësi që edhe shkëmbimi i njerëzve, mallrave, biznesit, vjen e bëhet gjithnjë më intensiv. Sigurisht që gjithmonë ka probleme, por jam i bindur që vitet që vijnë patjetër që do të ofrojnë një perspektivë të re të këtyre marrëdhënieve që beson se janë edhe aspiratë e popujve tanë\", theksoi Presidenti Topi.

Gjithashtu, ai ka thënë sa ka ndjekur me shqetësim situatën në veri të Kosovës, aty ku ka pasur tentativa të pushteteve paralele, të sponsorizuara nga qarqe të caktuara.

Por, Presidenti Topi është shprehur i bindur se institucionet e Kosovës do të dinë të ruajnë dhe të konsolidojnë shtetin ligjor në Kosovë, në një territor që nga lindja në perëndim, nga jug në veri, është një territor integral, një territor që ofron të gjitha mundësitë e barabarta për të gjitha pakicat, për të gjithë popullin, me të gjitha standardet evropiane dhe ku e ardhmja e Kosovës jam i bindur se do të jetë në Evropë.
 
    

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)